Hapja e shkollave/ Pipero tregon ç’duhet bërë nëse dikush infektohet me Koronavirus
Nxënësit dhe mësuesit po përgatiten për fillimin e vitit të ri shkollor, nën masa të rrepta Anti-Covid, të cilat kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së virusit. Por, pavarësisht masave, çfarë do të ndodhë nëse raportohet një i infektuar në mjedisin e shkollës?
Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero ishte këtë pasdite i ftuar në emisionin “Rudina”. Ai tha se në raste të tilla mbyllja e shkollës nuk është zgjidhja, por duhet të gjenden mënyrat për të izoluar rastin dhe familjen pa e ndërprerë mësimin.
“Të mos nxitojmë në këtë pjesë, sepse, nëse në shkollë na del një rast pozitiv ndaj Covid-19, nuk është zgjidhje mbyllja. Nuk duhet të mbyllet shkolla, por duhet të gjejmë mënyrat për të izoluar rastin dhe familjen pa ndërprerë procesin”, tha Pipero.