Ja pse duhen 3 vite pushim pas lindjes për nënat!

Nga Liridona Vejseli:

Misioni më i rëndësishëm në jetë është sjellja në jetë e një fëmije, sepse në thelb qëllimi pse jemi në këtë jetë është i tillë. Kjo është e pamohueshme, ne duhet të riprodhohemi!
Në këtë mision, tre vitet e para të jetës janë vendimtare për formimin e qenjes që ne sjellim në jetë! Andaj duhet politika miqësore ndaj familjes për të forcuar lidhjen midis prindërve dhe fëmijëve, që është kyç për zhvillimin e shoqërive me kohezion social!
Zhvillimi i trurit dhe formimi i fëmijës në vitet e para të jetës mund të arrijë maksimumin nëse kjo realizohet nga prindi i cili përpos dashurisë prindërore i jep edhe përkushtimin që është i pakrahasueshëm me atë që mund të ofrojnë ambientet e çerdheve!

Ja, po i shkruaj disa nga arsyet:
1. Fëmija do të jetë afër dashurisë së prindit dhe në ambientet e shtëpisë, pranë lodrave e sendeve të tij të dashura.
2. Nuk ka nevojë të zgjohet herët me orar të caktuar.
3. Do të dalë në shëtitje çdo ditë në të njëjtën orë, ha dhe fle sipas rregullave që përcakton prindi.
4. Fëmija është i mbrojtur nga sëmundjet dhe viruset e fëmijëve të tjerë.
5. Fëmija rritet pa stres, ankth dhe xhelozi!
6. Fëmija plotëson vitet e para nevojën me aromën dhe zërin e nënës!

Sipas ekspertëve fëmija duhet të fillojë në çerdhe nga mosha 18 muajshe ose 2 vjeçare dhe pas kësaj moshe në fillim të dërgohet vetëm disa orë deri sa të mësohet me shkëputjen 8 orëshe nga prindi!

Sa u përket shteteve të zhvilluara, si Suedia, Norvegjia, Islanda, Estonia dhe Portugalia kryesojnë listën e shteteve anëtare të BE-së me politika miqësore ndaj familjes teksa Zvicra, Greqia, Qiproja, bashkë me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën renditen të fundit për mundësitë e nënave të reja!

Fëmija të cilit prindërit i kushtojnë kohë, kujdes dhe afërsi në vitet e para të jetës, ka të plotësuar një parakusht për të ardhme të suksesshme! Lidhja dhe afërsia e fëmijës me prindërit e forcojnë mirëqenjen e tij. Kjo është edhe parakusht për edukim të baraspeshuar. Fëmija i cili ka raport të afërtë me prindin, është argument i mirë jo vëtëm për suksesin në shkollë por edhe për gjithë jetën.

Në shtetin tonë 9 muaj janë të pamjaftueshëm për përkujdes ndaj më të dashurve tanë, andaj edhe LSM kërkon që pushimi i lindjes të vazhdohet në 12 muaj por që gjithsesi edhe këto tre muaj shtesë nuk janë të mjaftueshme për t’u arritur maksimumi që kam përmendur më lart! Andaj sa më shumë muaj që i shtohen pushimit tonë të lindjes janë garancë për gjenerata të suksesshme!

Share With:
Translate »
733 Views