‘Alo, jam Evisi’, ministrja e Arsimit surprizon mësuesit me telefonatën e papritur
Ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi ka bërë disa telefonata surprizë për mësuesit e qyteteve të ndryshme, në kuadër të Ditës Botërore të mësuesve. Ajo është shprehur se telefonatat kishin si qëllim shfaqjen e respektit ndaj tyre për punën e tyre të palodhur.
“Telefonatat surprizë kishin në qëllim shprehjen e respektit ndaj secilit që komunikova, e nëpërmjet tyre të përcjell mirënjohjen për çdo mësuese e mësues në Shqipëri që ka kontribuar e vazhdon të kontribuojë në arsimimin e brezave. Mësuesit tanë janë shtylla dhe armata kryesore që do të na ndihmojnë për të përballuar me sukses këtë sfidë që ka prekur gjithë globin. Pa sakrificën dhe vlerat e tyre, nuk mund të përballet asnjë sfidë në shoqëri. Jemi me fat që ju kemi dhe me zemër ju uroj Gëzuar Ditën Botërore të Mësuesve!”,ka shkruar Kushi në një postim të bërë në Facebook.
Ndërkohë, gjatë bisedës telefonike ajo është shprehur: “Jam Evisi, ministrja e Arsimit. Kam përzgjedhur mësues të ndryshëm dhe një ndër ato jeni ndër ju. Kam edhe një arsye tjetër që ju marr ju se ju sot keni ditëlindjen. Alma ky vit është shumë i vështirë për shkak të pandemisë dhe akoma më shumë dua të shpreh mirënjohjen për sakrificën që po bëni. Krenar sot dilni dhe në pension. Respekt dhe mirënjohje për kontributin që keni dhënë!”