“Të qepësh librat me gjilpërë”; Psikologia nga Kosova e para që krijon për të zhvilluar inteligjencën e fëmijëve
Nga: Zhaklin Lekatari
Keni dëgjuar ndonjëherë për librat sensorik për fëmijë ? Janë librat që rrjedhin nga lojërat e zhvillimit të hershëm të fëmijëve. Po i marr gjërat më radhë, duke prezantuar ideatoren e tyre, Njomza Neziri, e cila ndonëse studimet i ka përfunduar për produksion, gjatë studimeve ka qenë gjithashtu mësuese e arti për fëmijë, sepse në shkollë të mesme është angazhuar në aktivitet artistike, si qëndisje, vizatim apo pikturë.

Njomza, mbasi vuri re dëshirën, dashurinë dhe pasionin për t’u angazhuar me fëmijët, vendosi të mbarojë dhe fakultetin e psikologjisë për t’u përqendruar më shumë te psikologjia e tyre, duke u trajnuar në disiplinë pozitive për fëmijët.
Një libër sensorik thotë Njomëza është një mënyrë shumë e mirë për të zhvilluar aftësitë motorike, durimin dhe inteligjencën e fëmijëve duke i bërë ata të njihen me forma të ndryshme, objekte me ngjyra apo numra, duke mësuar së si të pavarësohen në jetë. Funksioni i një libri të tillë dedikuar për fëmijët nga 6 muaj e deri në 6 vjeç është zhvillimi i muskujve të vegjël të duarve, përqendrimi dhe durimi i të qëndruarit ulur gjatë një aktiviteti. Me anë të librave sensorik fëmijët marrin dhe informacionet e para për objektet që i rrethojnë, për lodrat, numrat, dukuritë natyrore, duke u përgatitur kështu për ciklin parashkollor dhe shkollor. Natyrisht që ideja për krijimin e një libri të tillë lindi nga bashkimi i dy pasioneve që ajo ka, arti dhe fëmijët. “Gjilpona e Njomzës” është faqja ku ajo promovon apo ndan punët e saj me dorë, si piktura, bizhuteri apo punime, të gjitha të qëndisura më dorë, aftësi që ajo shfrytëzoi duke krijuar libra dedikuar plotësisht zhvillimit dhe impaktit pozitiv te moshat më të vogla.
Ndoshta do ketë nga ata prindër që do mendojnë që një libër në moshë të hershme do e kthejë mësimin në aktivitet monoton, sidomos kur ai të behët i detyrueshëm me angazhimin në shkollë. Por Njomëza, më tregon që kjo teori në fakt nuk qëndron, sepse sipas saj librat sensorik janë po aq të rëndësishëm sa librat e shkollës, duke nxitur një zhvillim gradual dhe atraktiv nëpërmjet lojës dhe argëtimit. “Libri sensorik është komunikues sepse i bën ata që kuptojnë nëpërmjet shqisës së prekjes, duke zbuluar përralla, personazhe, gërma, numra, forma, ngjyra, të gjitha të punuara më dorë” thotë ajo. Njomzës i duhen tre ditë për të përfunduar një libër të tillë, sigurisht e frymëzuar nga ata, fëmijët të cilët ajo i do aq shumë, saqë thotë që tashmë kupton dhe gjuhën e tyre belbëzuese.

Librat i dedikohen fëmijëve të vegjël nga 6 muaj deri në 6 vite, por secila moshë ka nevojë për librin përkatës, sepse për shembull bebet kanë nevojë për forma më të mëdha, më të theksuara dhe lehtë të dallueshme. E bukura e këtyre librave është që çdo prind mund t’i përdorë në mënyrë të pavarur, pa nevojën e një edukatori apo pedagogu, gjithashtu ato janë të bërë nga materiale antialergjike të cilat nuk e dëmtojnë fëmijën tuaj. Njomza është një vajzë ambicioze, në planet e saj të ardhshme është krijimi i një punëtorie në të cilën librat do të krijohen me shpejtë dhe ne sasi më të mëdha, por gjithashtu të nxisë vetëdijen duke trokitur në dyert e Ministrisë së Arsimit, si një nga librat e rëndësishëm për zhvillimin psiko-motorik të fëmijëve që në fund janë e ardhmja e vendit.