Jo vetëm emri, por Geraldinën e vogël e lidh edhe data e lindjes me gjyshen e ndjerë
Përmes një deklarate publike, Princi Leka ka lajmëruar se, më 22 tetor 2020, ai dhe Elia Zaharia janë bërë prindër për herë të parë. Vajza që ka ardhur dje në jetë është pagëzuar me emrin Geraldina dhe kjo, jo rastësisht.
“Familja Mbretërore Shqiptare është e lumtur të bashkëndajë lajmin e lindjes së Lartësisë së Saj Mbretërore Princeshës Geraldinë që u erdhi në jetë Lartësive të Tyre Mbretërore Princit Leka të Shqiptarëve dhe Princeshës Elia, ditën e enjte, 22 tetor 2020, ora 09:30”, – ishte lajmërimi i Princit Leka në rrjetet sociale.
Data 22 tetor përkon me një datë të shënuar për Familjen Mbretërore.
Mbretëresha Geraldinë, gjyshja e Lekës, është ndarë nga jeta pikërisht në këtë datë, 18 vjet më parë. Ajo vdiq në Tiranë në moshën 86-vjeçare, më 22 tetor 2002.
Dhe, për rastësi, Elia Zaharia lindi edhe në spitalin që mban emrin e gjyshes së Lekës, Mbretëresha Geraldinë. Vogëlushja që sapo ka përshëndetur botën, me siguri do të trashëgojë edhe emrin tjetër të stërgjyshes së saj, “Trëndafili i bardhë” (Për shkak të bukurisë dhe bardhësisë natyrale të lëkurës, por edhe veshjes së zakonshme me ngjyra të bardha, Geraldina quhej “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë”.

Mbretëresha Geraldina, gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit në Shqipëri, u impenjua për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, sidomos të shtresave në nevojë. Ajo kontriboi për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të shtresave në nevojë, si spitalet, azilet dhe jetimoret. Vizitat e shpeshta që bënte në këto ambiente, ishin “vizita pune” për të. Geraldina u impenjua totalisht edhe për promovimin dhe jetësimin e të drejtave të grave, si dhe për mundësitë e emancipimit të tyre. Geraldina punoi shumë për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimit spitalor në Shqipëri dhe dha një ndihmesë të madhe për ngritjen dhe funksionimin e Spitalit Ushtarak në Tiranë. Ajo solli nga Austria një numër të madh mjekësh për drejtimin e Spitalit Ushtarak dhe kontribuoi në ngritjen e maternitetit të parë shqiptar në Tiranë. Një nga projektet që mbahet mend edhe nga bashkëkohës të asaj periudhe, është mobilizimi dhe ngritja e fushëveprimit të Kryqit të Kuq Shqiptar. Gjithashtu, Mbretëresha Geraldinë mundësoi hapjen e edicionit të parë emetues radiofonik në Radio Tirana.
Prioritet i punës së saj ishte emancipimi i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, për ngritjen e vetëdijes së saj dhe në veçanti, dhe emancipimi i pjesës rurale të popullsisë.