“Ka bërë gjithçka që të përqafonte djalin edhe njëherë”, avokatja e Arlindës: Nuk kam parë njeri më këmbëngulës, të birin ia mbante peng kunati

Avokatja e Arlinda Sylaj Zekajt, Adelina Hoxha, ka folur në lidhje me vështirësitë që 49-vjeçar është përballur para se të vritej nga kunati i saj.

Në një intervistë për “RTV 21”, avokatja shprehet se krimi ishte i paralajmëruar, ndërsa shton se Arlinda kërkonte vetëm të takonte të birin, të cilin ish-bashkëshorti ia kishte larguar dhe nuk e lejonte ta shikonte. Sipas avokates, Albert Sylaj, autori i vrasjes, ia mbante peng djalin.

“Detajet nuk jam në gjendje për t’i dhënë të gjitha. E kam marr në korrik Arlindën, edhe pse e kam njohur para, por si kliente e kam marr në korrik. Ajo ka paraqitur një karakter tepër të fortë, unë e konsideroj veten me karakter të fortë, por ajo, nuk kam takuar për 27 vjet përvojë pune, një grua aq këmbëngulëse, aq të fortë si ajo.  Ajo ka bërë gjithçka që të mundej të merrte djalin dhe ta përqafonte dhe një herë. 

Unë kërkoj që të mos merremi me emocionet, mos e trajtojmë si viktimë edhe pse është viktimë, po duhet t’i drejtohemi njëzëri si gra institucioneve. Në këtë rast, nuk dua të shfajësoj ata që kanë kryer krimin, por gjëja më kryesore është se vrasjen e kanë bërë institucionet. Një pjesë të dosjes ia kam kaluar një kolegut tim pasi kam marrë lajmin, por kam një mal provash që e vërtetojnë, neglizhencës, injorancën dhe keqpërdorimi ne detyrës zyrtare të një zinxhiri institucionesh që janë përgjegjës për vrasjen. 

Tre ditë më parë, kur ka hyrë në shtëpi, më ka thënë: ‘Le të më vrasin sot, të paktën ta di që djalin e kam pranë, t’i ndjej aromën dhe njëherë’ sepse nuk e ka lejuar i ati që ajo ta takonte.  

Ajo nuk ka kërkuar asgjë tjetër, vetëm të ishte me të birin. E vetmja mundësi që ta shikonte ishte në atë shtëpi, ku e mbante peng kunati i vete. Ai nuk ishte banor i asaj shtëpie. Në atë shtëpi, kunati ka shkuar pasi Arlinda vendosi të kthehej aty dhe prokurorja e dinte këtë por nuk e ka marrë guximin që ta kthente tek shtëpia e tij.  

Nga kryeprokurorja, tek prokurorët, hetuesit, policia, qendrës së punëve sociale, kryetarit të Komunës që i kam bërë ankesë për neglizhencë të detyrës dhe të zyrtarëve të tjerë, i kam bërë jo vetëm si avokate por me paralajmërimin se ai kishte për ta vrarë. Por asnjë veprim nuk është kryer.”- tha avokatja.

Share With:
Translate »
1 Views