Covidi i merr jetën mësueses në Fier, kolegët fjalë prekëse: E shtrenjta jonë Leta, edukove 40 breza
Një mësuese në Fier ka humbur jetën nga Covid-19. Bëhet fjalë për Violeta Liçaj, mësuese në shkollën “Liri Gero”. Prej ditësh mësuesja ishte e shtruar në spital, por nuk e ka fituar dot betejën me infeksionin.
Lajmin e trishtë e kanë dhënë kolegët e saj, me një mesazh prekës lamtumire.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të koleges më të dashur, mësueses së përkushtuar, mikes tonë Violeta Liçaj. Sa dhimbje, sa trishtim ndjejmë të gjithë! Lamtumirë e mira, e dhimsur, e shtrenjta jonë Leta! Ti i’u përkushtove arsimit, modeli më i mirë i mësuesisë dhe edukatore e nxënësve për 40 breza me radhë. Viti i fundit i arsimimit të nxënësve të ndau përgjithmonë nga kjo jetë. Modeli i gruas, i nënës, i mësueses së mrekullueshme plot pasion dhe përkushtim profesional. Na ke prekur të gjithëve mësues, nxënës dhe prindër. Do të na mungosh shumë e dashur …Të qoftë dheu i lehtë dhe u prefsh në paqe! LAMTUMIRE”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit për mesuesen Violeta Liçaj.
