A dëgjon fëmija i palindur?

Nëse po, atëherë çfarë dëgjon dhe sa i rëndësishëm është të dëgjuarit për të? Këto janë pyetje që i preokupojnë prindërit e ardhshëm, mjekët dhe psikologët, po njësoj.

Ne e dimë që veshi i brendshëm i njeriut (e ashtuquajtura Cochlea) ka arritur që në javën e njëzet të shtatzënisë madhësinë e të rriturit. Në këtë moshë të hershme, organ i të dëgjuarit është pjesërisht i aftë për të funksionuar, transmeton Telegrafi.

Në javën e 36-40 të shtatzënisë është pjekur tërësisht, qelizat e të dëgjuarit reagojnë nga ana elektrofiziologjike si tek njeriu i rritur (Leibermann).

Me këtë formim shumë të hershëm të veshit të brendshëm, natyra shmang atë që nëpërmjet një rritjeje të organit të të dëgjuarit, gjatë viteve të para të jetës, perceptimi akustik të ndryshojë vazhdimisht.

Që në fillim të këtij shekulli janë bërë përpjekje, pjesërisht edhe me metoda të rrepta, për të gjetur nëse fëmija i palindur dëgjon apo jo.

Një renditje eksperimentale ishte kjo: të ulje një grua shtatzënë brenda një vaske, ta gjuaje vaskën me çekiç dhe të ndiqje me vëmendje nëse zhurma shkaktonte lëvizje të fëmijës apo jo. Të tjerë vinin instrumente muzikale, më e preferuara ishte trumbeta, në barkun e gruas shtatzënë dhe ruanin me vëmendje reagimet motorike të fëmijës ndaj toneve dhe melodive.

Në vitet e fundit metodat eksperimentale janë bërë më të sakta dhe, para së gjithash, edhe më të përshtatshme për fëmijët. Me ndihmën e regjistrimit të frekuencave të zemrës dhe me elektroencefalogram u vërtetua që fëmija i palindur reagon rregullisht ndaj ngacmimeve akustike me një ndryshim të frekuencës së zemrës dhe të aktivitetit të trurit.

A është në gjendje fëmija i palindur të bëjë dallime ndërmjet zhurmave, toneve dhe tingujve? A ka zëri i nënës një kuptim të veçantë për fëmijën. Gëzohet ai vallë që së bashku me prindërit të dëgjojë një sonatë të Bethovenit në një sallë koncerti? Sa i rëndësishëm është komunikimi i paralindjes ndërmjet nënës dhe fëmijës?

Mbi këtë tematikë është shkruar shumë në vitet e fundit, por nga këto vetëm pak shkrime kanë qenë me të vërtetë të dëshmuara. Ekzistojnë ekspertë dhe amatorë që iu japin një rëndësi të madhe përvojave të paralindjes.

Vazhdimisht janë informuar vëzhgimet në vijim: ndërkohë që zhurmat e mëdha bëjnë që të rriten frekuencat e rrahjes së zemrës dhe fëmija i palindur të lëvizë gjithnjë e më tepër, zëri i njeriut ose muzika çojnë drejt një reduktimi të rrahjes së frekuencave të zemrës dhe drejt qetësimit të motorikës.

Me sa duket, fëmija i palindur reagon në mënyrë të ndryshme ndaj zërave të njohur dhe të panjohur. Fëmija i porsalindur mund të bëjë dallime ndërmjet zërit të nënës dhe atij të personave të huaj. Kjo mund të çojë në përfundimin se stimulimet akustike kanë për fëmijën e palindur kuptime të ndryshme dhe se fëmija njihet gjatë shtatzënisë me zërin e nënës.

Arritjet e fëmijës së palindur janë të shquara, po të mendojmë se një seri e tërë faktorësh e kufizojnë në mënyrë thelbësore perceptimin akustik para lindjes. Së pari duhet të bëhet vërejtja se mitra nuk është aspak një vend i qetë.

Fëmija i porsalindur është pre e nivelit të zhurmave të vazhdueshme nga 60-80 decibel, që i përgjigjet, përafërsisht, volumit të një zëri mesatar në një bisedë. Ky nivel zhurme shkaktohet nga shumë zhurma të lëvizjes së gjakut në enët e mitrës dhe atyre të trupit si dhe zhurmave gurgulluese të zorrës së nënës.

Një kufizim tjetër qenësor qëndron në atë që zëri njerëzor, tingujt dhe zhurmat në rrugën e tyre drejt fëmijës duhet të shkojnë tej e tej murit të barkut të nënës, mitrës dhe lëngut të placentës dhe gjatë kësaj kohe të filtrohen shumë.

Se çfarë dëgjon fëmija i palindur, përafërsisht, ne mund ta marrim me mend po të ulemi në një vaskë të mbushur plot, të hapim rubinetin e çezmës, ta fusim kokën në ujë dhe të mundohemi, ndërkohë, të dëgjojmë muzikë ose të ndjekim një bisedë.

Ekziston një përvojë akustike e paralindjes. Por është e vështirë të vlerësohet rëndësia e saj për fëmijën e palindur. Ka të ngjarë që ajo të jetë e kufizuar, ndoshta në favor të fëmijës. Sepse po të ishte e madhe gatishmëria për të perceptuar, atëherë si do të ndikonin tek fëmija i palindur televizori dhe radioja, zhurma e rrugës dhe e fshesës me rrymë?

Share With:
Translate »
519 Views