A jeni “mama e keqe”, testojeni veten këtu!
Me siguri jeni një nënë që për momentin ndiheni shumë keq. Jeni duke fajësuar veten, jeni duke pyetur dhe analizuar çdo gjë rreth statusit tuaj si nënë. Ju jeni duke thënë këto fjalë: “Jam një mama e tmerrshme. Jam mamaja më e keqe në botë!”
Dhe për gjithë këto ju duhet të keni të drejtë apo jo? Kjo sepse sot në një moment e humbët kontrollin dhe i bërtitët vajzës tuaj të vogël; sepse sot i dhatë një pëllëmbë djalit i cili nuk po pushonte së qari. Kjo sepse sot e latë fëmijën tuaj përpara televizorit për gjithë pasditen dhe u morët pak me veten dhe sistemimin e rrobave. Kjo sepse sot i dhatë fëmijës tuaj një çokollatë, një hot-dog dhe një dozë të mirë djathi parmixhano për vaktin e darkës sepse përtonit të përgatisnit diçka më të shëndetshme.
Po, e di, je nëna më e keqe!
Por dëgjoni këtë: Nëse do të ishit me të vërtetë kaq e keqe sa mendoni se jeni, thjesht nuk do ta vrisnit mendjen. As nuk do t’ju vriste aspak ndërgjegjja për të gjitha pakujdesitë me dashje që keni pasur ndaj fëmijëve tuaj. Nuk do të qanit pa zë për të gjithë stresin që hiqni për të qenë një mama perfekte.
Nuk do të ishit duke kërkuar falje.
Nuk do të ishit duke dashur të kthenit kohën pas për të mos i bërë më këto gjëra.
E shikoni, nëse mendoni thellë-thellë, ju në fakt jeni një nënë e shkëlqyer. Ju kujdeseni për fëmijën tuaj pa kushte dhe gjatë gjithë kohës dhe bëni ta pamundurën për t’i siguruar një jetesë mjaft të mirë.
Sot që po ndiheni keq, kujtoni se disa kofsha pule dhe një serial më tepër me kartonë nuk i vret fëmijët tuaj!
Ndoshta nuk jeni gjithnjë krenare për veprimet tuaja, do të bëni gabime sepse të gjithë bëjmë dhe ndoshta këto gabime nuk janë kaq të këqija sa ju duken. Ndoshta këto gabime janë momente reflektimi dhe momente mësimi. Ato ju bëjnë të rriteni.
Këto gabime ju bëjnë nëna më të mira, bashkëshorte më të mira, mike më të mira dhe sigurisht gra më të mira.
Ju jeni duke bërë mjaftueshëm dhe me gjithë “dështimet” dhe gjithçka që mendoni se nuk dini ta bëni mirë, ju jeni një mama shumë e mirë. Ju jeni një mama e mrekullueshme!