“A ju erdhën mbesat e nipçet nga jashtë?” Në këto fjalë zemre të Sonila Meços e gjejmë veten nga pak të gjithë
Nga Sonila Meço
Pushimet e verës për shqiptarët nisin në salla pritjeje aeroportesh…duke tharë djersët karshi monitorëve të mbërritjes së avionëve të “mërgimtarëve” në familje.
Pritej dikur vajza a djali, ca më vonë vajza me bashkëshortin e djali me gruan, mandej çifti me fëmijën e parë, një vit më pas me të dytin e me radhë, gjersa e gjen veten duke pritur si gjysh a gjyshe, hallë a teze, dajë a xhaxha nipçen, ose mbesën e rritur, vetëm, me një çantë shpine.
Dy pëllëmbë përmbi ty, buzagaz, plot dashuri të çiltër përmes një shqipeje me theks të huaj, pa salltanete, duke e pyetur dhjetra herë a u lodhe, a do të të blej diçka, a të hahet, të të marr një lëng frutash, do një byrek nga nëna, të ta mbaj unë çantën… duke marrë më të shumtën e herëve për përgjigje një “jo” lozonjare, të duruar, mirkuptuese…
Dhe nisesh drejt shtëpisë e hutuar se ç’bisedë mund të bësh me të, a do të të kuptojë, mos mërzitet, mos e acaron trafiku, ndoshta po e bezdis me shumë pyetje, a mos po dukesh jo interesante me heshtjen…
Por janë aq të thjeshtë, të lirë, mendjehapur, kureshtarë, të dlirë, të dashur, të papërtuar e paqësorë sa të vjen t’i thuash motrës a vëllait, çupës a djalit në anën tjetër të celularit: mos më hajde më, sillmë nipçen a mbesën se kam botën.
Dhe kur bien ato barrierat e fundme të një sikleti për si ndihet e si e përjeton ardhjen në Shqipëri, nis e vret mendjen duke u zhytur kontradiktash se si ju ndau ky i mallkuar emigrim, por sidoqoftë s’do ish bërë kaq i/e mbarë mos ish rritur andej. Ama s’di kujt t’ja ngjeshësh fajin, Shqipërisë që s’u bë a vetes që nuk ike me kohë.
Por kujtohesh se një vrap pele jeni larg, ja ka linja direkte tani, të lira, shkon e vjen.
Po edhe në skype e whatsapp merresh vesh, sa për të pikuar ca zhuritjen e mallit.
Kam parë me mijra familje në pritjet e mia në aeroporte për Frankun, nipçen tim, Rezin, motrën dhe të shtrenjtë të tjerë.
Brezi i dytë bëhet i pavarur e të begenis me një tjetër qasje për jetën, edukimin, profesionin, dashurinë.
Të ndan jo veç mosha, distanca, por edhe kulturat e megjithatë në atë përballje me nipin a mbesën tënde kërkon përgjigje për dhjetra pyetje të pashteruara mbi botën, që sa vjen e bëhet më e arritshme, më e tretshme, më e vogël, më e ngjashme.
Sot e falënderova Frankun që na dha mundësinë të njiheshim më mirë, të ndanim biseda e debate mbi shkollën, teknologjinë, lidhjet, politikën, filozofinë me një komunikim edhe më të mirë se me time motër.
Ndoshta sepse unë jam tezja e ai nipi, ndoshta sepse shqiptari tek ai vjen pa atë fatalitetin tipik të kujt jeton a ikën nga sytë këmbët, ndoshta sepse unë kam nevojë ta arrij në lartësinë e kthjellët nga sheh të ardhmen e ai për t’u zhytur në njohjen e rrënjëve nga e cila përfton të shkuarën, të dy për të shijuar një përkatësi, që ka aromën e familjes, shtëpisë, këndit të shtrenjtë ku ulen të gjithë avionët e pushimeve verore si premtim për gjakun që nuk bëhet kurrë ujë.
A ju erdhën mbesat e nipçet nga jashtë? Pa më thoni pak.