“Ambicia e parë e një gruaje duhet të jetë lindja e fëmijëve”, deputetja e Melonit shkakton debate në Itali
Pritshmëria e parë që duhet të keni nga një grua, është që të sjellë në jetë fëmjë. Kjo është ajo që deklaroi ditën e sotme një senatore nga partia në pushtet e ekstremit të djathtë në Itali.
Deklarata e Lavinia Mennunit shkaktoi jo pak debat në radhët e partive opozitare në vendin fqinj.
Kryeministrja Giorgia Meloni e ka bërë prioritet ndryshimin e shkallës në rënie të lindjeve në vend dhe promovimin e familjes tradicionale duke mos përkrahur krijimin e familjes tek çiftet e të njëjtit seks.
“Mamaja ime më thoshte gjithmonë … duhet të kujtosh gjithmonë se ke mundësinë të bësh çfarë të duash, por kurrë nuk duhet të harrosh se ambicia jote e parë duhet të jetë të jesh nënë,” tha Senatorja Lavinia Menouni.
Mennuni, e cila u shfaq së bashku me një kryepeshkop katolik në një program në televizionin La7, tha se institucionet në Itali dhe Vatikan duhet të inkurajojnë të rinjtë të martohen herët dhe të krijojnë familje.
“Kemi nevojë, le të themi për një mision, sepse mendoj se është një gjë e bukur (për gratë) të lindin fëmijë që do të jenë qytetarët e ardhshëm, italianët e ardhshëm”, tha 47-vjeçarja, e cila vetë ka tre fëmijë.
Nga ana tjetër, senatorja Rafaela Paita nga partia centriste “Italia Viva” argumentoi se komente të tilla tregojnë “një regres të turpshëm”.
“Fjalët e saj i bëjnë jehonë ideve nga një e kaluar e errët, fatmirësisht e tejkaluar,” deklaroi ajo.
Kurse, zëvendëskryetarja e Lëvizjes Pesë Yje, Chiara Appendino shkroi në një postim në platformën “X” se partia në pushtet vuan nga një “nostalgji për Mesjetën.”
Mennuni u bë shkak për debate edhe një javë më parë kur propozoi një projektligj që do t’i bënte të detyrueshme eventet në kuadër të Krishtlindjeve më shkolla dhe universitete.
Projektligji i paraqitur në Parlamentin italian synon që të ndalojë riemërtimin e festimeve të Krishtlindjeve në “festa dimërore” dhe gjithashtu do ta bënte të detyrueshëm ngritjen e skenës së lindjes së Krishtit. Për drejtorët e shkollave që nuk binden janë të parashikuara edhe penalitete.