Angela Martini për WHO: Sytë blu që më ndryshuan jetën!

Mahnitëse, e bekuar, me plot dashuri. Kështu e përshkruan jetën e saj Angela, që tanimë është nënë e një djali, Kyree. Një dashuri që i ndryshon të gjitha dimensionet, që të mëson të qeshësh e të qash ndryshe, të perfeksionon rrahjet e zemrës e të bën ta shohësh botën ndryshe. Kyree e ka bërë jetën e mami Angelës me ngjyra, nga ato që krijojnë ylberin e shpirtit. Një rrëfim për mëmësinë, dashurinë, për karrierën dhe projektet që shumë shpejt do t’i shohim nga Angela.

Vajzë, bijë, grua në karrierë, bashkëshorte, por tanimë në një rol unik, atë të nënës, si ka qenë kjo etapë jete për ty me ardhjen në jetë të Kyree?

Kyree është një bekim nga zoti. Që në çastin e parë që ai zgjodhi të jetë djali im, e gjithë jeta ime ndryshoi. Ky është roli më i rëndësishëm i jetës time, krijimi i një qenieje të mirë njerëzore, krijimi i një universi të tërë. Dashuri e pakushtëzuar. Ua rekomandoj të gjitha grave dhe burrave ta përjetojnë këtë ndienjë dhe emocion. Është diçka krejtësisht ndryshe, jeta jote merr kuptim tjetër, diçka që ti nuk e ke imagjinuar kurrë se do ta përjetosh.

Si nis dhe si mbaron një ditë e jotja tani?


Asnjë ditë nuk është e njëjtë. Kjo ka qenë pjesë e jetës time gjithmonë. Vetëm se tani është e stërmbushur me shumë dashuri.

Muajt kalojnë dhe Kyree rritet, nga ka marrë më shumë në tiparet fizike por edhe nga copëza karakteri që vihen në pah që tani, nga mami Angela apo nga babi Dragos?

Kyree është përzierja perfekte e familjes time. Ai ka marrë sytë me ngjyrë nga mamaja ime, ngjyrën mahnitëse që nuk e morëm unë dhe vëllai. Kyree e mori dhe jemi shumë të lumtur për këtë. Ai ka marrë formën e syve nga unë, gojën nga babai im, formën e fytyrës, hundën dhe veshët nga bashkëshorti im. Për karakterin jemi ende herët për të folur, por ndiej se është një “mix” perfekt mes ne të dyve, meje dhe Dragos.Shumë i fortë dhe i pavarur, por edhe shumë i ngrohtë si çdo fëmijë dhe sigurisht plot me dashuri.

Çfarë babai është Dragos, përkushtimi i tij ndaj djalit? Cili nga ju do të jetë ai prindi autoritar dhe cili do të lëshojë pe?

Dragos është baba shumë i përkushtuar dhe shumë mirënjohës për faktin që Kyree e zgjodhi atë si baba. Ai është shumë i përgjegjshëm, i dashur dhe një mentor i shkëlqyer, gjë për të cilën jam shumë krenare. Ne të dy duam ta lëmë Kyree të jetë vetvetja dhe të jetë i lirë të shprehet ashtu siç është, jo ashtu si duam ne të jetë. Ne e adhurojmë faktin që e zbulojmë çdo ditë si është djali ynë.

Si ndryshon marrëdhënia në çift pas ardhjes në jetë të një fëmije? Si ka ndryshuar te ju?

Një fëmijë nuk e shpëton marrëdhënien në çift, ai nuk vjen në jetë për të shpëtuar marrëdhënien tënde me partnerin/partneren. Nëse ishit mirë para se të vinte në jetë fëmija, do të jesh mirë kur fëmija të vijë. Por nëse ishit keq para fëmijës, ai nuk vjen në jetë për të shpëtuar marrëdhënien tënde. Ai madje mund ta përkeqësojë, sepse jeta ndryshon dhe jo në mënyrën më të favorshme për të mbrojtur marrëdhënien e për të sjellë atë “mjaltin”. Por nëse në marrëdhënie ka dashuri të vërtetë, atëherë ajo do të transformohet në një mënyrë tjetër, në një mënyrë më të thellë.

Duke mos lënë padyshim pas familjen, por çfarë po ndodh me Angelën dhe karrierën e saj, si e ke menaxhuar kohën për t’i bërë të gjitha?

Jeta ime ka ndryshuar, veçanërisht këto vitet e fundit dhe mendoj se ka qenë një kapitull i jetës time në të cilin kam mësuar shumë dhe më ka bërë më të fortë, ka qenë pjesë e pjekurisë sime. Për një farë kohe më është dashur ta lë pak mënjanë karrierën, sepse kam marrë rol tjetër, duke ruajtur familjen time dhe burrin që dashuroj. Për mua, e para është familja. Për t’ia dalë si familje dhe për të kaluar të gjitha pengesat e mëdha që kishim, më duhej të isha për një kohë një lloj tjetër njeriu, jo ai që njihni të gjithë. Zgjodha ta sakrifikoja për pak kohë karrierën time dhe një pjesë të ëndrrave të mia, për të qenë një njeri tjetër që ishte e nevojshme të isha. Ishte e nevojshme të isha aty për bashkëshortin tim dhe të shpëtoja jetën e një njeriu. Ky ishte prioriteti im.
Zgjodha dhe dua të jem personi që besoj për veten se jam vërtet dhe më duhej ta bëja në mënyra të ndryshme dhe jo për veten time apo për imazhin tim apo për të kënaqur egon time! Përkundrazi, u shqetësova më shumë që të luftoja padrejtësinë dhe gjithashtu gjeta në këto vitet e fundit rolin e nënës dhe më duhej t’i përkushtohesha dhe të kujdesesha gjithashtu për të. Por tani, kur e gjithë familja ime është mirë dhe njerëzit që dua janë mirë, pasi kaluam periudhën më të keqe në jetë, ka ardhur koha të fokusohem te vetja ime. Tani do të fokusohem te karriera ime, jeta nis tani. Gjithçka tjetër ka qenë vetëm nxemja. Karriera ime duhet të nisë dhe një pjesë tjetër e Angelës, ajo që duhet të isha gjithë jetën, do të shkëlqejë më në fund.

Me çfarë po merresh konkretisht tani, kemi ndonjë surprizë në horizont?

Po, ka dhe jam shumë e emocionuar për këtë. Unë e dashuroj idenë e të bërit ndryshime të mëdha, jashtë asaj zonës së komfortit. Kam diçka me të cilën po punoj dhe shumë shpejt do ta ndaj dhe me ju.

Jeta në Amerikë çfarë ndikimi ka tek Angela, si në anën profesionale, por edhe në atë personale?

Pyetja për Amerikën për mua është tejet emocionuese. Jam e dashuruar me Amerikën dhe sipas meje është vendi më i mirë për të jetuar. Gjithashtu edhe për personalitetin tim është me të vërtetë vendi më i mirë. Për çdo aspekt, si për dashuri, ashtu edhe për karrierë. Çdokush që më njeh, e di mirë si jam dhe që ndihem supermirë atje. Që kur isha e vogël, kam pasur ndjesinë që në jetën time të shkuar, kam jetuar atje. E kam vuajtur faktin që në këto vitet e fundit nuk kam jetuar aty aq sa kam dashur. Kjo ka qenë realisht dhimbja më e madhe për mua. Kalifornia është vendi ku frekuenca ime është më e larta dhe më e mira. Shtëpia ime është atje.

E ke menduar ndonjëherë të vish të jetosh në Shqipëri, qoftë edhe për një periudhë të caktuar kohore?

Po, pse jo?! Për një periudhë të shkurtër kohore, ndoshta mund ta konsideroja ta bëja, veçanërisht për Kyree-në, që të shohë nga vijnë genet e tij, të shohë rrënjët e tokës së nënës së tij. Unë jam shumë krenare që jam shqiptare.

Lidhja jote me Shqipërinë është e dukshme, duke përmenduar herët kur ti i ke ardhur në ndihmë, gjatë periudhës së tërmetit të vitit 2019, pandemisë… ke qenë e gatshme për të dhënë kontributin tënd. Sa e rëndësishme është kjo për ty?

Kjo gjë për mua është shumë e rëndësishme. E bëra atë gjë asokohe, edhe pse edhe vetë isha në një situatë shumë të vështirë të jetës sime. Kam një talent të fshehur, t’i bëj gjërat të duhen të lehta, kur në fakt është krejt e kundërta. Kur pashë dhimbjen te njerëzit e mi, ishte tejet e dhimbshme dhe për mua. Unë doja thjesht të ndihmoja njerëzit, ata që i njoh dhe i dua që kur kam qenë fëmijë.

Së fundmi, në ditëlindjen tënde, nuk prite një dhuratë, por bëre një megadhuratë për Shkodrën rënde. Përmes investimit të “Angela Martini Foundation” u bë i mundur ndërtimi i një fushe sportive dhe një këndi lojrash në oborrin e shkollës “Ali Leçaj” në Shkodër. Si e përshkruan atë moment, atë përmbushje ëndrre tënden, por edhe të të rinjve shkodranë?

Në fakt ishte dhurata më e mirë që i bëra vetes. I dhashë diçka qytetit ku kam lindur dhe ku kam jetuar 9 vjet të jetës sime. I mbaj mend shumë mirë ato vite, sepse ishin vitet e para të jetës, që janë vërtet të rëndësishme. E kam dashur shumë fëmijërinë time në Shkodër dhe doja të jepja diçka për fëmijët e qytetit tim, duke shpresuar që i kam bërë disi të lumtur.

Çfarë përfaqëson Shkodra për Angelën?

Shkodra është një pjesë e rëndësishme e imja, e asaj që jam. Personaliteti im është ndërtuar aty. Për mua shkodranët janë unikë. Të fortë, guximtarë, të ndershëm, revolucionarë, kanë shpirtin e fortë të lirisë, të ashpër nëse nuk respektohen, artistë, të bukur, etj. Kështu i mbaj mend që prej fëmijërisë time dhe shpresoj që të jenë ende ashtu, madje dhe më mirë.

Para pak vitesh erdhe me një libër “Dashuri, shpresë, dritë”, një autobigorafi përmbushëse që ashtu siç ti dëshiroje, preku shpirtra. Por librat janë si fëmijët, sapo të bësh të parin, vjen shpesh pyetja “kur do vijë i dyti?”. Ke menduar diçka për këtë pjesë?

Faleminderit. Po, definitivisht kjo është në planet e mia.

Modele, autore, life coach, producente, të gjitha këto të japin lirinë të zgjedhësh por edhe përgjegjësinë kur vjen puna për të folur, çfarë mesazhesh ju jep Angela të rinjve?

Kurrë mos kini frikë të jeni vetvetja nëse njerëzit fillojnë të mos ju pëlqejnë apo ju dekurajojnë, apo kur e shihni sikur jeta po ju hedh gurë në rrugën tuaj. Kjo do të thotë se jeni në drejtimin e duhur, thjesht duhet të vazhdoni para. Pavarësisht se çfarë ndodh me jetën tuaj, edhe nëse do të lëvizni çdo ditë, për sa kohë nuk ndaloni, përfundimisht do ta arrini qëllimin. Dhe kurrë mos fajësoni të tjerët për dështimet tuaja dhe mos e krijoni personalitetin tuaj në rol viktimizues. Secili ka historinë dhe kohën e tij, më besoni për këtë. Sado perfektë të duken disa njerëz, apo çfarëdo pozite kanë në jetë, nuk është ashtu siç duket. Është një mashtrim. Edhe sikur të duket ashtu, bari në kopshtin e tyre nuk është më jeshil dhe më besoni se nuk do të donit të ndërroni vendet. Krijoni botën tuaj, jini 100% vetvetja, bota ka nevojë për persona unikë si ju, vetëm për ju, jo për kopjen e dikujt tjetër. Bëhu një ëndërrimtar delirant! Mund të vazhdoj përgjithmonë me këshilla, por kështu mund të shkruaj një libër të ri.

Çfarë të frikëson më së shumti, a ndryshojnë frikërat kur bëhesh nënë?

Po, jam bërë më e ndjeshme që kur jam bërë nënë dhe dua që fëmija im, ashtu si çdo fëmijë në botë të jetojë në një botë të mrekullueshme. Por gjithmonë mbaj mend që shumica e mendimeve janë iluzion dhe nuk janë reale. Ju vetë, me fuqinë tuaj të mendimeve tuaja mund të krijoni një moment shumë unik, ju mund të krijoni botën tuaj. Sfida më e madhe është dhe do të jetë gjithmonë mendja juaj. Është shumë e rëndësishme të jesh i vetëdijshëm për këtë. Mendja juaj mund të krijojë një burg ose vetë, shumë larg realitetit. Por i njëjti lloj që keni mund të krijojë parajsën. Ka të bëjë vetëm me perspektivën dhe fuqinë e mendimeve tuaja.

Cilat janë ato këshilla që në veshin e Kyree-së do të jenë melodi e përditshme, që nesër të jetë nyjë e rëndësishme e brezit por edhe e shoqërisë ku do të jetojë?

Ai duhet ta dijë se ne do ta duam pavarësisht të gjitha të mirave dhe gabimeve që ai mund të bëjë. Se ai mund të jetë 100% vetvetja. Ai mund të bëjë rregullat e veta në këtë botë dhe të flasë dhe të jetojë të vërtetën e tij. Ai duhet të luftojë gjithmonë për dashuri dhe drejtësi dhe kurrë nuk duhet të kompromentojë veten dhe karakterin e tij për t’u kënaqur të tjerët. Ai duhet të shprehet dhe të besojë në ëndrrat e tij, edhe kur të tjerët mund të qeshin. Ai duhet të jetë i dobishëm për këtë botë dhe nderi është gjithçka.

Dashuria është superfuqia më e madhe që mund të ketë një njeri. Dashuria është motivimi për gjithçka. Ai me siguri do të fillojë meditimin në moshën 4-vjeçare që të mësojë të zotërojë mendimet e tij. Ai do të kuptojë se ka një superfuqi, shumë më të madhe sesa mendon. E kam fjalën për superfuqi të vërteta si në filma! Kjo është bota, filozofia dhe drejtimi që do të ketë në jetën e tij!

Share With:
Translate »
50 Views