Ankesa për regjistrin online në shkolla/ Sindikalistët: Nuk ka kompjuter dhe internet! Punë e papaguar

Krahas regjistrit në klasë, mësuesit duhet të plotësojnë edhe regjistrin online, pas vendimit të këshillit të ministrave të miratuar që në dhjetor të 2021 për krijimin e sistemit të menaxhimit të informacionit parauniversitar.

Mësuesit mbështesin informatizimin e sistemit arsimor, por kundërshtojnë mënyrën se si po realizohet.

“Ju është kërkuar edhe ju është treguar vkm për detyrat e mësuesve te hallka e fundit e këtij zinxhiri që të hedhin edhe datat, temat. Kjo është punë kolosale. Ky regjistër elektronik ku do të punohet? Kur e gjithë infrastruktura shkollore mungon. Minimalja duhet të kishim në çdo klasë kompjuterë që të hidheshin notat dhe temat në kohë reale sic thotë kjo vkm. Të ketë internet dhe pajisje në shkolla”-tha Alma Lama, kryetare e sindikatës së pavarur të arsimit për Tiranën

Përveç kushteve në shkolla, mësuesja e kimisë e në të njëjtën kohë kryetarja e sindikatës së arsimit për Tiranën, Alma Lama, vlerëson se arsimtarët janë vënë në presion për plotësimin e regjistrit elektronik e janë detyruar ta përfundojnë këtë detyrë të re në shtëpitë e tyre. Ajo propozon që ashtu sic I është ulur me 2 orë norma mësimore nëndrejtorit dhe koordinatorit të shkollës, ashtu duhet të ndodh për çdo mësues që sipas vkm-së duhet të hedh online vlerësimet e vazhdueshme, temat mësimore, mungesat e nxënësve që prindërit të marrin informacionin  për fëmijët e tyre në kohë reale.

“Kjo është një risi, kjo është një detyrë e re. ne po bëjmë një punë ekstra dhe të papaguar. Pse kjo punë duhet të shkoj në familje? Kjo nuk është normale. Nga ana tjetër, kjo risi të merr edhe kohën që ne e kemi shumë të shenjtë për nxënësit. Mësuesit po I vidhet koha që duhet të ishte në funksion të nxënësve!”-tha Alma Lama, kryetare e sindikatës së pavarur të arsimit për Tiranën

Edhe pse tashmë një detyrim ligjor, ajo që vihet në dukje është se edhe të dhënat parësore si infrastruktura e shkollës, kontratat e punës e kualifikimet e mësuesve që duhet të paraqiten dhe administrohen në sistemin virtual nga qendra e shërbimeve arsimore,  si dhe detyrat e caktuara për drejtoritë rajonale arsimore  nuk janë përmbushur plotësisht, por llogaria ju kërkohet mësuesve, të cilët shprehen se në këtë situatë e kanë të pamundur të finalizojnë punën.

“Për aq kohë sa kjo është një VKM e firmosur më 3.12.2021 do të thotë që gjërat duhet të merren seriozisht”.- tha Alma Lama, kryetare e sindikatës së pavarur të arsimit për Tiranën

Share With:
Translate »
70 Views