Arbana Osmani flet për herë të parë për djalin e saj Jonin, ja çfarë e bën të lumtur atë
Me Arbana Osmanin, e kemi lënë të takohemi në “Top Channel”.
Prej muajsh, drejtuesja e spektakleve hit, kalon më shumë se gjysmën e ditës brenda godinës prej xhami të “Top Media”, në dalje të Tiranës. Është investuar e gjitha në projektin “Dua të të bëj të lumtur”, aq sa edhe takimet me miqtë i ka zhvendosur në Kashar…
E gjejmë në kafenenë e “Top”-it me shoqen e saj të ngushtë, Xhemi Shehun dhe si për t’i vënë pikën gjithë sa thamë më sipër edhe me të Arbana po flet për “Dua të të bëj të lumtur”… Programi i emocioneve të forta, ka premierën këtë të shtunë dhe Osmani rrëfen gjithçka për këtë projekt në intervistën ekskluzive me “revistawho.com”.
Arbana tregon se kanë për të qenë netë me shumë emocione, jo vetëm prej përballjes së njerëzve të thjeshtë në një studio televizive me të vërtetat e tyre, por edhe prej personazheve publikë që janë përfshirë si rrallëherë në historitë e atyre që i kanë parë vetëm nga ekrani.
Osmani nuk ngurron të pranojë se mëmësia e ka bërë edhe më të ndjeshme jo vetëm si njeri, por edhe si drejtuese programi, për çka ajo tanimë i sheh ndryshe ata që ka në studio, i ndjen ndryshe rrëfimet e tyre, duke mundur të zbërthejë ndjesitë e njerëzve të zakonshëm.
Por si mundet ajo që bën të lumtur shqiptarët, të bëjë të lumtur njeriun më të rëndësishëm të jetës së saj, Jonin? Përgjigjen e merrni në vijim…
Rikthehet “Dua të të bëj të lumtur”, por këtë herë je edhe në rolin e drejtueses së projektit… Çfarë do të presim kësaj radhe nga ky format?
“Dua të të bëj të lumtur” do të vazhdojë të ketë në thelb historitë njerëzore, veçse këtë vit mekanizmi i tregimit është pak më ndryshe nga viti i kaluar. Kemi dashur të sjellim protagonistët e një historie të caktuar në studio për një ballafaqim, për një përballje, për një surprizë a befasi.
Si është konceptuar programi, sa personazhe dhe çfarë historish mbizotërojnë?
Programi është menduar që historitë t’i sjellë në formën e programit të njohur “C’e posta per te”, pra një palë i dërgon palës tjetër një ftesë përmes postierëve tanë dhe këta të fundit nëse pranojnë të vijnë në studio zgjedhin të përballen të flasin ose jo me palën tjetër. Ka histori që kanë në thelb një konflikt të lënë pezull, një hatërmbetje ose një mërzi. Ashtu siç ka histori të cilat në thelb kanë dashurinë, mirënjohjen, simpatinë që protagonistët zgjedhin ta rrëfejnë tek ne mes surprizash dhe emocionesh.
Do të ketë edhe personazhe të njohur?
Po dhe jam shumë e lumtur që në premierën e programit këtë të shtunë, ora 20:50 në “Top Channel” na nderojnë emra me shumë peshë, si artistët e mëdhenj Robert Ndrenika e Rikard Ljarja, apo kapiteni legjendar i Kombëtares, Lorik Cana. Qasja e personazheve të njohur me programin këtë vit do të jetë e përjavshme. Ata do të bëhen pjesë e surprizave për historitë tona, por mund të marrin edhe vetë ndonjë surprizë (buzëqesh)…
Cila është harta e udhëtimeve për “Dua të të bëj të lumtur 2”?
Shqipëria nga jugu në veri, Kosova, Maqedonia dhe e gjithë Diaspora.
Është rastësi apo planifikim një program i realizuar nga fillimi në fund prej teje?
Kjo nuk është hera e parë që unë jam autore e një programi, por është hera e parë që jam autore e një programi që e prezantoj po vetë. Ishin drejtuesit e TV ata që kërkuan të isha unë edhe drejtuese e projektit përveçse drejtuese e programit. Është një pozicion që të merr shumë energji, por kam fatin të kem një skuadër shumë të mirë. Janë të gjithë të rinj me një dëshirë shumë të madhe për të punuar, një dashuri shumë të madhe për programin dhe për njerëzit të cilët zgjedhin të ndajnë historitë e tyre me ne. Jam vërtet shumë e lumtur që punoj me ta.
Pas kaq vitesh në televizion, është autorësia një aspekt që të plotëson dhe të jep më shumë kënaqësi?
Autorësia po i bëre te gjitha vetë të ezauron dhe të rrezikon të gabosh (buzëqesh) ndaj unë kam zgjedhur profesionistë në çdo pozicion, që edhe kur unë rrezikoj “të mendoj diçka të nxituar”, të më korigjojnë në kohë dhe të japin idetë e tyre më të mira. Mjaft të na shihni mua dhe Eraldon që jemi të dy autorë të programit, edhe pse përgjithësisht jemi në të njëjtën linjë (çfarë pret; kemi lindur në të njëjtën ditë) ai prapë është shumë skeptik dhe peshon mirë çdo zgjedhje autoriale. Unë edhe kur jam shumë e sigurtë në një vendimarrje sërish marr mendimet e njerëzve tek të cilët besoj përpara se të vendos.
Sa e vështirë/lehtë është të bësh të lumtur dikë?
Lumturia fshihet në detaje të vogla, por për të arritur atje duhet shumë punë kërkimore, takime me protagonistët e historive, të afërmit e tyre, për të arritur tek realizimi më pas. Ekipi i “Dua të të bëj të lumtur”, punon që prej verës së 2017-tës me historitë që do të trajtohen këtë sezon dhe është në pritje të të tjerave, sepse me nisjen e transmetimeve, nuk ka përfunduar faza e pranimit të historive.
Çfarë e bën të lumtur Arbanën?
Më bën të lumtur të shoh mirë me shëndet dhe të gëzuar njerëzit që dua.
Besoj ke udhëtuar shpesh këto kohë për shkak të programit, sa e ka ndjerë Joni këtë largim tëndin?
Kam udhëtuar shumë më pak se vjet dhe nuk jam shkëputur më shumë se një natë, kështu që Joni nuk e ka ndjerë shumë.
Sa ndikon të qenit nënë në përjetimin e emocioneve që ky format provokon?
Patjetër që mëmësia të bën më të ndjeshme, sidomos kur bëhet fjalë për histori që kanë në qendër fëmijë, por unë përpiqem që t’i menaxhoj emocionet e lotët në mënyrë që personazhet në studio të mos vihen në pozitë.
Si e bën Jonin të lumtur?
Jonin të lumtur besoj e bëj vetëm duke kaluar shumë kohë me të. E duke e çuar tek dyqanet e lojërave sigurisht… /Revistawho.com