Art në dritaret e spitalit, vogëlushi me sëmundjen e rëndë bën miq të rinj
Distanca nuk ishte një pengesë që një djalë i vogël dhe koordinatorja e një spitali të bëheshin miq përmes shënimeve në dritare. Meyer Mixdorf, 5 vjeç, ndodhej i shtruar në një spital fëmijësh në Kansas kur u bë mik me Johnna Schindlbeck, një punonjëse e një qendre mjekësore pranë spitalit.
I mbyllur në dhomën e tij për disa ditë pas një transplantimi të qelizave staminale në maj, nëna e Meyer, Liz Mixdorf, vendosi ta argëtojë atë duke bërë figurën e një fytyre të qeshur me letra shumëngjyrëshe në dritare.
Të nesërmen në mëngjes, ata zbuluan se në një ndërtesë matanë rrugës dikush i ishte përgjigjur me një fytyrë të qeshur. “Ne i quajtëm miqtë tanë misteriozë. Ishte kaq argëtuese”, deklaroi Mixdorf.
Ata filluan të dërgonin mesazhe me figura të tjera së bashku me djalin e tyre për ditë me radhë, duke formuar personazhe si Super Mario, Iron Man, Batman apo Minions.
Nga ana tjetër, punonjësja e spitalit nuk e kishte idenë se po komunikonte me vogëlushin përmes figurave dhe madje përfshiu dhe stafin e saj që ta ndihmonin.
Ajo u emocionua shumë kur kuptoi se kush fshihej pas këtyre mesazheve, pasi ajo kishte humbur dy vëllezërit e saj prej kësaj sëmundjeje. “Kjo ishte një lloj lidhje personale për mua,” tha Schindlbeck.