Arta Dade bëhet stërgjyshe, babai i saj katragjysh, një histori unike dashurie brezash
Një nga figurat më të njohura dhe me ndikim në politikën shqiptare, Arta Dade, po përjeton një periudhë të mbushur me gëzim e emocione të veçanta.
Pas një karriere të gjatë në shërbim të vendit, ish-ministrja dhe deputetja e njohur tashmë i është përkushtuar një kauze që e ka pasur gjithmonë përzemër, mbrojtjes dhe përparimit të të drejtave të fëmijëve, në rolin e saj si presidente e bordit të CRCA Albania.
E ftuar në emisionin “Rudina” në Klan, Dade ka ndarë një lajm të bukur nga jeta e saj personale: prej gjashtë muajsh ajo është bërë stërgjyshe, ndërsa i ati është bërë katragjysh një moment i rrallë që ka sjellë gëzim të madh në familje.
“Tani në trenin e jetës janë disa stacione. Djali im është bërë baba herët, 20 vjeç, dhe për fat unë kam ende babain, kështu që babai im është bërë katragjysh,” – u shpreh Dade me buzëqeshje.Ajo tregoi se dashuria për fëmijët ka qenë gjithmonë pjesë e pandarë e jetës së saj:
“Unë i kam mbajtur të gjithë fëmijët, i kam parë tek rriten, kam qenë një gjyshe e përkushtuar dhe tani më duket si diçka tjetër që sa rritet njëri, vjen tjetri… nuk kam ngelur asnjëherë pa mbajtur një bebe nëpër duar.”
Momenti kur mësoi se do të bëhej stërgjyshe ka qenë edhe më i veçantë, pasi familjes iu shtua një vajzë, diçka që e ka gëzuar veçanërisht, duke qenë se deri tani kishte vetëm nipër.
“Kur mora vesh që do të ishte vajzë, u lumturova shumë, sepse kam katër nipër dhe vetëm një mbesë, Ninën. Tani që erdhi edhe kjo vogëlushe, u shtuan vajzat në familje,” – rrëfeu me emocion Dade, duke shtuar se vajza e vogël është tashmë gjashtë muajshe.
Në këtë fazë të re të jetës, Arta Dade po shijon me plot dashuri rolin e stërgjyshes, ndërsa energjinë dhe përkushtimin e saj po i përqendron në mbrojtjen e brezave të rinj si në familje, ashtu edhe në shoqëri.