Baba si Al Paçino! Mjeku Albert Çakani: Rastet kur burrat munden edhe pas të ’80-ve

Aktori i njohur hollivudian Al Pacino së fundmi ka bërë të ditur se është baba.

Mosha e tij është 83 vjeç! Ai pret një fëmijë me të dashurën e tij 29-vjeçare Noor Alfallah. Kush e dëgjoi lajmin me siguri ka pyetur veten: A e mbajnë ende këmbët Al Paçinon?

Më herët, një tjetër aktor i Hollivudit, 79-vjeçari Robert De Niro, shpalli gjithashtu atësinë e tij muajin e kaluar. Madje deklarata e tij se fëmija që po priste nuk ishte “aksident” por i planifikuar hapi një diskutim në SHBA nëse është diçka e mirë për fëmijën që të ketë një baba aq të vjetër.

Por dy miqtë e ngushtë që kanë interpretuar bashkë në shumë filma nuk janë të vetmit në këtë botë që bëhen baballarë në pleqëri.

Shumë njerëz janë bërë prindër në pleqëri. Bosi i Formula1,  Bernie Ecclestone u bë baba i një djali, tri vite më parë, asokohe në moshën 89 vjeçare.

Sidomos në SHBA janë shumë, aktorë, muzikantë, madje edhe ish-presidentë të SHBA-ve kanë bërë të ditur se janë bërë prindër në një moshë shumë të vonë në jetën e tyre.

Por përtej çudisë dhe mendimin të parë që të vjen se rrugët e Zotit janë të mistershme, kjo në fakt nuk është një mrekulli mjekësore pasi shkencërisht është e mundur.

Albert Çakani, me titullin Doktor Shkencash në obstetric gjinekologji, pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldine” thotë se, nuk ka asnjë mrekulli në faktin që një burrë mbi 80 vjeç është akoma i aftë seksualisht.

“Nëse ora biologjike për një grua ka lidhje me moshën, për një burrë që nuk vuan nga problemet e infertilitetit mund të arrihet një shtatëzani, e ndihmuar apo jo, edhe në moshën mbi 80 vjeç. Pra ora biologjike te burrat ka lidhje me moshën por në përqindje të ulët të mundësie fekondimi, mund të ndodhë. Pra një burrë mund të arrijë të riprodhojë edhe në moshën mbi 80 vjeç”, i tha Dr.Sh. Albert Çakani, gazetares së Top Channel Alma Demiraj.

Në Shqipëri nuk është kryer ende një studim mirëfilli për të pasur një panoramë të moshës më të madhe që është bërë prindër, por rastet e deklaruara nga mjekët gjinekologë nuk kanë munguar.

Sipas Rekordeve Botërore Guinness, një burrë 92-vjeçar mban rekordin deri më tani, si babai më i vjetër.

Share With:
Translate »
64 Views