Belina Pupa flet për pamundësinë dhe dëshirën për të patur një fëmijë

Elvis Pupa është një nga figurat më të dashura shqiptare. Por shumë e dashur është edhe partnerja e tij Belina Pupa e cila ka rrëmbyer zemrat e publikut me çiltërsinë dhe ëmbëlsinë e saj.

E ikur nga Shqipëria 12 vjeç si emigrante me familjen Belina Pupa, sot psikologe në Australi, ka bërë një rrugë të gjatë, nga Shkodra në Detroit në SHBA, e më pas në Australi. Përgjatë këtij udhëtimi, një verë në Velipojë takoi dashurinë e jetës, Visin.

Belina ka qenë së fundmi e ftuar në “Zë me Mirën” të Mira Kazhanit kur flet për martesën, fëmijën që s`ka ardhur ende tek çifti dhe shumë të pathëna të tjera.

Mira Kazhani: Unë dua të ta bëj një pyetje. Është pak pyetje edhe e shoqërisë tonë. Edhe shpresoj që të mos e teproj. Ke të drejtë ta ‘skip’-ësh, siç thoni ju në Amerikë. Po 14 vite shumë të dashuruar, dukeni kaq të lidhur, një fëmijë a ka qenë në planet tuaja?

Belina Pupa: Po, patjetër. Ka qenë një periudhë kohe… Faktikisht fëmija u bë plan kur erdhëm këtu në Shqipëri. Jo se nuk e kishim…

Mira Kazhani: Po se pyesin këtu të gjithë

Belina Pupa: Na e futën në mend njerëzit më shumë. “Ah sa të mirë jeni. Po bëheni një fëmijë. Bëjeni aman”. Këtej në telefon nëna: “Po si ka mundësi? Çfarë keni? Pse s`e bëni një fëmijë?” Të gjithë me radhë. Ishte e vetmja gjë që na shihnin në çift, që mungonte. Nuk ishim plotësuar. Edhe është e vërtetë. Fëmija është bekim. Lum ai që i ka. Po neve nuk na erdhi. Ne jemi shumë të shëndetshëm. Nuk kemi asnjë problem, me çfarë na thonë doktorët, thjesht s`ka ndodh. Mund të vijë nesër. Mund të vijë pasnesër. Po unë besoj tek një linjë e jetës time që rrugën time e bëj unë. Është vetëm e imja. Ti ke rrugën tënde. Një nënë tjetër ndoshta bëhet nënë 15 vjeçe. Një nënë bëhet 40 vjeçe. Nuk duhet t`i fusim të gjithë në një filtër. Tani martohesh. Nesër duhet të bësh një fëmijë. Pasnesër do bësh një gocë e të tjera me radhë. Besoj se jam këtu për të bërë rrugëtimin tim.

Fëmija është bekim, thonë. Uroj ata që i kanë. Uroj që nëse ne do kemi, arsyeja e vetme që dua të kem një fëmijë është të di çfarë mundem të krijoj unë me Visin. Dua të di çfarë krijimi mund të bëjmë ne.

Mira Kazhani: Jua uroj megjithë zemër!

Belina Pupa: Nuk e di, po nuk ndihem për momentin se më mungon diçka.

Mira Kazhani: Është e dukshme. Meritë e psikologes brenda teje apo meritë e Belinës dhe Visit?

Belina Pupa: Meritë e Belinës dhe Visit. Sepse ka qenë një partner që deri më sot s`më ka thënë kurrë: Hej, si mendon? A duam ta bëjmë një fëmijë? Jo, gjithmonë të dy bashkë kemi arritur deri këtu. Është një ndjesi që e kemi të përbashkët. Po erdhi, të vijë. Po s`erdhi, ne jemi të lumtur.

Mira Kazhani: Ndoshta Ai Lart ju ka dhënë njëri-tjetrin…

Belina Pupa: Edhe unë jam mjaft, jemi ne, ne vazhdojmë.

Mira Kazhani: Nëse duhet të shtoheni, mirë se të vijë!

Belina Pupa: E pëlqej shumë lirinë e udhëtimit. I kam qejf shumë kafshët, po as kafshë s`kam se udhëtojmë shumë, lëvizim shumë dhe s`dua as kafshën ta mbaj aty brenda. Kafsha duhet të jetë e lirë. Kështu që ne jemi shumë njerëz të lirë. Jemi shumë mendjehapur. Nuk gjykojmë asnjë.

Belina Pupa: As veten. Në momentin që s`merr përsipër të gjykosh asnjë, as veten, po duaje veten në fund, foli vetes mirë. Sado gabim të madh të bëjë njeriu në jetë, veten ta trajtojë mirë.

Mira Kazhani: Mua më pëlqejnë njerëzit që nuk e gjykojnë veten. Ne jemi edukuar që nëse s`po na gjykon njeri, duhet të gjykojmë veten. Shohim gjithmonë pjesët që mungojnë. Ndërkohë që duke parë pjesët e mira mund të plotësojmë edhe atë që mungon.

Share With:
Translate »
118 Views