Jeta familjare e Blendi Fevziut përballë 20 viteve “Opinion”

“Pushooo… Po flet Fevziu!” Jo vetëm për shkak të batutës së tij gjatë një emisioni me Artan Lamen, të kthyer me kohën në një hit të rrjeteve sociale, por edhe për shkak se të gjithëve na ka ndodhur të paktën një herë të na kenë thënë ‘pusho’ gjatë kohës që në transmetim shfaqet “Opinion”-i i Fevziut; zgjodhëm që të kemi këtë titull për kopertinën e 20-vjetorit të programit më jetëgjatë (pas atij të Flamur Topit) dhe me më shumë autoritet në Shqipëri.

Nga Eraldo Rexho

Jam rritur duke parë në televizion Fevziun. Emisioni i tij ka lindur pak pas meje, megjithëkëtë në 20-vjetorin e “OPINION” kam përballë Fevziun dhe një listë me 45 pyetje. 45 për 20, janë pak për shumë.
Në fëmijërinë time, televizioni ishte edukim. Përmes “OPINION”-it shqiptarët kanë mundur të njohin mbretin, mbretëreshën, presidentin, kryeministrat, rrëfime të jashtëzakonshme njerëzish jo fort të zakontë. Unë, jam një prej tyre.
Bëj çdo pyetje që më vjen në mend pa ngurruar dhe pa marrë shtrembërimin e Blendit. Është komod në takim, në përgjigje, në bisedë dhe arrij të kuptoj pse programi i tij, nisur kur ai ishte veçse 28 vjeç ka mundur ta bëjë atë numrin 1.
Kam pasur pështypjen se dirigjon në hije shumëçka. E kam ende dhe pse ai nuk e pranon. E pyes për kohë të sikletshme. M’i rrëfen. Bashkë me rininë e hershme në Tiranë, ku ende i panjohur shoqërohej krejt rastësisht me Ilir Metën, Lul Bashën, Ben Blushin e Andi Bushatin. Vite më vonë ata janë përballë njëri-tjetrit, si vendimmarrës e opinionbërës. Dikush është ligji e dikush “Maliqi”, – në një Tiranë ku zien politika e “OPINION”-i.
E dini çfarë mesazhi i ka ardhur kur i tha Lames “pushooo”? Fevziu e thotë, në një rrëfim pa shkop, por me drejtim të qartë. Bashkë me miqësitë e prera me Berishën a Lubonjën, a me ata që i kanë ikur nga studio, sepse edhe Blendit i ikin nga studio.
Një rrëfim pa dorashka, përfshin edhe kravatat, këpucët e kostumet. Fevziu është bërë ‘ikonë e stilit’, çka s’do ishte imagjinuar. Përtej seriozitetit që kërkon politika ka gjithnjë vend për këpucë të kuqe e orë me të njëjtën ngjyrë, për foto ‘instagram’-i e udhëtime në vende të paeksploruara. Është luksi i të qenit më i miri. Prej atje, Fevsiu sheh prapë qartë dhe rrëfen po aq marrëdhënien me vajzat e gruan.

Gazetari më i famshëm, por edhe më trendy duhet thënë. Bën lajm kostumi, kombinimi, ngjyra e këpucëve, orat sidomos… Sa i dhënë jeni pas modës?
B.F: Jo ndonjë pasionant i madh. Padyshim që më tërheqin vëmendjen gjërat e bukura!

Sa kostume, këmisha, kollare, këpucë ka në garderobën tuaj?
B.F: Nuk e di, nuk i kam numëruar kurrë. Po më shumë se sa garderobë e imja është garderobë e punës. Dmth është një lloj uniforme që unë e vesh çdo natë.
Ku e bën pazarin Blendi?
B.F: Varet nga lloji i pazarit. Zakonisht ku mundem.
Markat e preferuara? Stilisti i preferuar?
B.F: Nuk kam fiksime. Marka e preferuar është ajo që më rri mirë, ndërsa stilisti ai që më tërheq për momentin.
Sa të pasur ju ka bërë “Opinioni”?
B.F: Më ka mundësuar një jetë shumë të mirë, një jetë që nuk e bën dot kushdo, por pasuria është gjë tjetër dhe më e madhe.

A do ndryshonit diçka 20 vjet më pas, një ide, një platformë, një plan…
B.F: Unë besoj se ne ndryshojmë çdo ditë nga pak. Prezantuesi i sotëm s’ka asgjë të ngjashme me atë të fillimit 20 vjet më parë. Për fat të keq, njerëzit mendojnë si ndryshim vetëm formën dhe jo përmbajtjen. Unë besoj se forma nuk ka nevojë të ndryshojë kur një emision krijon një raport me shikuesin, sepse ai identifikohet me të. Forma ndryshon zakonisht kur dështon.
A jeni penduar për emisionet soft?
B.F: Jo, janë pjesë e jetës dhe shoqërisë shqiptare. Je i detyruar të respektosh edhe ata që shohin dhe i pëlqejnë ato.
Ç’marrëdhënie keni me prezantuesit, artistët?
B.F: S’e di, korrekte besoj. Marrëdhënie kam me miqtë. Nuk është se njoh shumë njerëz.
Ku ndryshojnë ata me politikanët?
B.F: Politikanët kanë më shumë besim në vetvete. Dhe nuk kanë nevojë të ndihen të rëndësishëm. Me artistët ndodh shpesh e kundërta, nuk kanë aq besim tek vetja dhe duan ta deklarojnë në të gjitha format që janë të rëndësishëm.
Cilët vonohen më shumë?
B.F: Politikanët thuajse nuk vonohen kurrë!
Di që jeni shumë i rreptë kur vjen puna për orarin e programit, keni lënë ndonjë jashtë për shkaqe të vonesës?
B.F: Kur emisioni kaloi nga ai strikt politik, 4 herë në javë; kur futëm edhe temat mikse, që në emisionin e parë dy vajza erdhën me vonesë. Ne i lamë jashtë dhe filluam në orarin e caktuar. Kjo ndodhi edhe të nesërmen. Që nga ajo ditë askush s’ka ardhur më vonë dhe në 10 vitet e fundit, “Opinion” edhe kur ka qenë regjistrim, nuk ka nisur kurrë qoftë edhe me 1 minutë vonesë.
Ju jeni i fundit që keni intervistuar personazhe shumë të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë… Jeni krenar për këtë?
B.F: Ndër gjërat për të cilat falenderoj shpesh Zotin. E nisa karrierën herët, kur isha vetëm 28 vjeç isha në transmetim dhe pata fatin të intervistoj një pjesë të protagonistëve të historisë së Shqipërisë që nuk kishin folur kurrë.
E keni menduar ndonjëherë mbylljen e “Opinion”, do të vazhdojë ai edhe 20 vitet e ardhshme?
B.F: Një emision që ka nisur spontanisht, jam i sigurtë që edhe mbylljen do ta ketë spontane! Se kur, nuk e di.

Po Mishel i ndjek programet tuaja, e jep ajo sot ‘opinionin’ e saj mbi “Opinionin” e babit?
B.F: Jo, nuk besoj. Ose mua nuk më ka thënë asnjëherë gjë. Madje e bezdis fakti që kur jam me të qëllon të më ndalojnë për foto. Dhe kur dalim bashkë ecën një hap para që mos ta shohin me mua.
I keni treguar asaj se kur keni rënë në dashuri për herë të parë? Çfarë i keni thënë?
B.F: As më ka pyetur dhe as ja kam thënë. Nëse do më pyeste do i tregoja që ka ndodhur në vitin e dytë të gjimnazit (qesh). Po histori shumë e vjetër.
Çfarë bisedash bëni me vajzën? Çfarë diskutohet tjetër në shtëpinë tuaj?
B.F: Absolutisht po ato biseda që bëhen edhe në çdo shtëpi tjetër. Veç faktit që duke qenë shumë i zënë qëllon që unë i shtyj ca biseda me ditë, sa Inesi lodhet. Kur jam me miq, zakonisht ka shumë biseda politike. Por jo vetëm për politikën shqiptare.
Ka jo pak raste kur edhe ju sulmoheni në komente, nga njerëz që më së shumti zgjedhin të jenë anonim, shqetësohen pjesa tjetër e familjes?
B.F: Deri tani jo. Kam përshtypjen që ata e dinë që unë s’kam asnjë lloj emocioni ose reagimi ndaj komenteve, ngado që të vijnë ato. Shpesh qesh ose tallem se më argëton fakti që dikush rri mendon për ty dhe merret me ty, kur ty s’të intreson fare kush është ai. Zakonisht edhe as i lexoj, por edhe kur më del ndonjë e lë aty ku është. Një herë në emision lexova gjithë komentet kundër meje, ato më me mllef, përballë Ramës. Kjo është gjëja që më argëton më shumë. Por nëse do merrja kritika nga ato 5 – 6 vetë që unë i vlerësoj dhe i konsideroj miq dhe seriozë, realisht do të më dhimbte!
Keni mbyllur një verë shumë aktive me pushime, ku ishit këtë herë?
B.F: Unë bëj 3-4 destinacione të largëta në vit. Ai i verës është një miksim mes qytetit dhe plazhit. Këtë verë isha në një ishull mjaft interesant të Karaibeve që quhet Turk and Caicos. Meqenëse unë pëlqej shumë zhytjen në det, ai ishte një destinacion i përshtatshëm për këtë gjë. Plus një ndalesë në Nju Jork. Por lëviz shumë edhe nëpër Europë në verë. Disa destinacione në Greqi, Francë apo Itali.

Dukeni shumë i lidhur me vajzën e vogël, sa kohë shpenzoni me të?
B.F: Asnjëherë sa do doja, por shumë më tepër se sa me vajzën e parë. Besoj që kaloj kohë me të.
Si reagon ajo kur ju sheh në ekran?
B.F: Ka një video në instagram që kur më sheh më thërret dhe pastaj mërzitet që unë nuk i përgjigjem. Ndërsa kur ka qëlluar që kam qenë aty, thjeshtë sheh e çuditur dhe qesh. Tani kur e pyesin ku punon babi, tregon me gisht televizorin! / revistawho.com

Share With:
Translate »
1294 Views