Blendi Fevziu, baba në kohë të ndryshme. Ku ndryshon vajza e madhe nga vajza e vogël?
Sezoni i ri në Tv Klan për Blendi Fevziun, këtë vit nuk nis si çdo vit tjetër. Nesër, Opinion starton me një program maraton prej 10-orësh duke rrëfyer një histori të gjatë 20-vjeçare brenda tij. Përgjatë këtyre javëve, siç ka lajmëruar, Blendi Fevziu dhe stafi i Opinion janë angazhuar për të risjellë dy dekada nga programi që ndryshoi mendësinë e shqiptarëve për gazetarinë.
I ftuar këtë pasdite në “Rudina” në Tv Klan, Blendi Fevziu rrëfeu më shumë detaje për programin e gjatë që do të shoqërojë nesër të gjithë publikun e Tv Klan.
Por nuk la mënjanë edhe emocionet e një viti tjetër pushime aventurë, siç është mësuar ai të bëjë vit pas viti. Si çdo herë, edhe kjo verë, në axhendën e pushimeve të Blendit, janë kombinuar pushimet e shkurtra me ato të gjata. Të parat, për arsye të Alis, vajzës së tij të vogël, ndërsa pushimet e gjata, ai ka dëshirë t’i kalojë me Mishel, vajzën e tij adoleshente, që gjithmonë e më shumë po i ngjet të atit për këtë pasion të hershëm.
Koha që i ka kushtuar vajzës së madhe me atë që po i kushton së voglës si baba nuk ka të krahasuar. Pengun kohë për vajzën e madhe, Blendi e ka thënë disa herë edhe publikisht, por tashmë, si një baba në kohë të ndryshme, ai edhe emocionet e rritjes së vajzave po i jeton ndryshme.
I pyetur nga Rudina se si e ndjen veten përballë Mishel dhe Alis, Blendi përsërit se është një emocion krejt i ndryshëm: “Me Mishel nuk jam angazhuar aq shumë se kam pasur më pak kohë. Ajo është rritur pa qenë unë aq i pranishëm, ndërsa me të voglën, e kam thënë, kam qenë më pranë saj…” – thotë Blendi.
Po mes një babai më pak të përkushtuar dhe një tjetri “me kohë të plotë”, si janë të bijat? Natyrisht, edhe ato, me një diferencë moshe të konsiderueshme, momentalisht janë më larg njëra-tjetrës. E madhja, tashmë adoleshente, për Blendin është një shoqe shuëm e mirë. Madje, ai rrëfen edhe për bisedat e shopping-ut që ka filluar të bëjë me të, për bluzat, për xhinset, tipike për moshën e Mishelit. Megjithatë, gazetari i njohur i Tv Klan, vazhdon të theksojë se më shumë se gjërat materiale, ai do të donte që të bijave t’u linte diçka me më shumë vlerë: “I kam thënë se do mundohem që ti të udhëtosh në sa më shumë vende të botës, që të kesh një pasuri shumë më të madhe se pasioni i shopping-ut apo i gjërave të tjera të moshës…”
Pa Alis? Për momentin, ajo e sheh Blendin si partner në lojë: “Për momentin, jam partneri i saj në lojë. Kush më sheh me të, më thotë “bobo, paska rrjedhur”, aq shumë argëtohem me të. Bëjmë çdo gjë bashkë, shkojmë nga fusha për të luajtur, natyrisht kjo pjesa e verës ka qenë më atraktive…” – thotë Blendi duke shpresuar se, një ditë, edhe së voglës, nëse do të mundet fizikisht, do t’i injektojë pasionin e tij për udhëtimet, ashtu siç ka bërë me Mishelin dhe ka rezultuar me sukses: “Shpresoj që nëse ajo do të jetë kurioze dhe unë do të jem fizikisht i mundur, do të doja shumë ta shoqëroja nëpër udhëtime të gjata – kjo është pasuria më e madhe që një baba mund t’u lërë fëmijëve të tij – një vizion sa më të madh dhe më të prekshëm për botën…” /Revista Class