Kastriot Tusha rrëfen emocionet kur u bë gjysh dhe na prezanton me mbesën e tij
Tenori i njohur Kastriot Tusha, dy muaj më parë ka marrë një status të ri. Djali i tij Petriti është bërë baba i një vajze, të cilën e kanë pagëzuar me emrin Harper. Për jetën familjare, Tusha flet rrallëherë në publik, por emocionet e një gëzimi që sapo ka ardhur në familjen e tij, nuk mundet t’i mbajë vetëm për vete.
I ftuar pasditen e sotme në “Rudina” për të folur për projektet e tij të reja, Tusha është ndalur për të rrëfyer më shumë edhe për profilin jashtë muzikës.
Prej 27-vjetësh tashmë i martuar, tenori tregon se dita e martesës i duket sikur ka qenë mbrëmë. Petriti, i biri, tashmë ka krijuar familjen e tij të re me bashkëshorten Jonën, dhe më të bijën dy muajshe, Harper.
I pyetur se si i duket vetja gjysh, Tusha tha se mbesa i ka vënë përballë përgjegjësive: “Na ka zbukuruar jetën, por edhe na ka vënë para përgjegjësisë…”, – tregon ai duke konfirmuar se e ndien vërtet sikur Harper është mjalti i mjaltit: “Unë kam edhe mamanë gjallë dhe asaj i them “ti e ke tri herë mjaltë”, – thotë ai me të qeshur.
Ndërsa vajzës, Amisës, e cila tashmë është studente që ka nisur të mendojë për familjen e re, meqenëse është e fejuar, tenori i ka kushtuar një këngë “Bija ime”, një kujtim mjaft i bukur që do t’i shoqërojë gjithmonë të dy. Pasi u publikua kënga, tregon Tusha, në shumë gëzime familjare i propozonin ta merrte edhe të bijën me vete dhe të këndonte bashkë me të (meqenëse ajo është edhe pjesë e klipit), por pas disa herëve, ai e kishte të vështirë t’i përmbante lotët: “I thashë vajzës që nuk do të të marr më me vete…” – tregon tenori pa i fshehur emocionet. /Revista Class