Ç’duhet të dini për lindjet surrogate: A lejohen në Shqipëri?

Çfarë kanë të përbashkët Kim Kardashian, Sarah Jessica Parker, Priyanka ChopraAngela Martini? Janë të famshëm – kjo është e vërtetë – dhe gjithashtu të gjithë kanë përdorur zëvendësues gestacional (surrogate) për të patur fëmijë të tjerë. Teknologjia përparon, po kështu edhe opsionet për lindjet. Gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen lindjeve surrogate (një grua pranon të mbajë dhe të lindë një fëmijë në emër të një personi ose çifti tjetër).

Arsyet pse njerëzit zgjedhin lindjet surrogate

– Çështjet shëndetësore mund ta pengojnë një grua të mbetet shtatzënë ose ta çojë shtatzëninë deri në fund.
– Çështjet e infertilitetit pengojnë shtatzëninë, si abortet e përsëritura.
– Çiftet e të njëjtit seks dëshirojnë të kenë fëmijë (këta mund të jenë dy burra).
– Beqarët duan të kenë fëmijë biologjikë.

Llojet e surrogacisë

Termi përdoret në përgjithësi për të përshkruar disa skenarë të ndryshëm.

1. Një surrogate gestacionale mbart një shtatzëni për një individ ose çift duke përdorur një vezë që nuk është e saj. Veza mund të jetë ose e nënës ose nga një dhuruese. Po kështu, sperma mund të jetë nga babai ose një dhurues. Shtatzënia arrihet përmes fertilizimit in vitro në laborator.

2. Një nënë surrogate tradicionale dhuron vezën e saj për një individ ose çift. Shtatzënia zakonisht arrihet përmes inseminimit intrauterin (IUI) me spermë nga babai. Mund të përdoret gjithashtu sperma e donatorëve.

Sipas agjencisë Southern Surrogacy, surrogatet gestacionale tani janë më të zakonshme se surrogatet tradicionale. Pse? Sepse në rastin e dytë, gruaja dhuron vezën e saj, që do të thotë se teknikisht është nëna biologjike e fëmijës. Kjo mund të funksionojë mirë, megjithatë mund të krijojë çështje komplekse ligjore dhe emocionale. Në fakt, disa shtete kanë ligje kundër surrogacisë tradicionale për këto arsye.

Kriteret për të qenë surrogate ndryshojnë sipas vendeve, por zakonisht përfshijnë:

– mosha: kandidatët duhet të jenë nga mosha 21 deri në 45 vjeç.
– detajet e riprodhimit: duhet të kenë kryer të paktën një shtatzëni – pa probleme – deri në fund, por të kenë më pak se pesë lindje vaginale dhe dy lindje cezariane.
– stili i jetesës: duhet të jetojnë në një mjedis që nuk ua vështirëson shtatzëninë dhe mos kenë abuzuar me alkoolin dhe drogën.
– testet: duhet të kontrollohen për shëndetin mendor dhe fizik, duke përfshirë kontrollin për infeksionet seksualisht të transmetueshme.

A lejohet surrogacia në Shqipëri?

Ligji “Për Shëndetin Riprodhues” i vitit 2002 nuk përcakton specifikisht kushtet për surrogacinë, pra surrogacia nuk është e rregulluar me ligj. Megjithatë ligji thotë se “Të gjithë individët dhe çiftet kanë të drejtë të përfitojnë nga përdorimi i metodave të sigurta, të përballueshme dhe të pranueshme të planifikimit familjar, sipas zgjedhjes së tyre, si dhe ndaj metodave të tjera të zgjedhura për rregullimin e fertilitetit”.

Gjithashtu përcaktohet se “Të gjithë individët kanë të drejtë për të përfituar nga progresi shkencor dhe teknologjitë e reja lidhur me riprodhimin e seksualitetin, kur ato janë të sigurta dhe të pranueshme”.

Në një raport të vitit 2019 nga Top Story, në Shqipëri klinikat e fertilitetit ofrojnë edhe shërbimin e nënave surrogate. “Surrogacia nuk është e përfshirë në ligjin e riprodhimit të asistuar, është nga ato pikat që duhet të përfshihet që të krijohet infrasturkura juridike për ta çuar fëmijën te prindërit biologjikë”, tha për Top Story Dr. Elida Gjata, mjeke obstetër-gjinekologe.

“[Marrëveshja duhet të] bëhet para se të fillojë procedura. Pra, të dyja, si dhuruesja edhe gruaja që do ta mbajë fëmijën në mitrën e saj duhet të kenë një akord para noterit, para gjykatës, ku të thuhet që po bëhet kjo procedurë,” tregoi Dr. Orion Gliozheni, obstetër-gjinekolog.

Në ligj është përfshirë adoptimi surrogativ. Pra, gjykatat shqiptare, duke mos pasur një kuadër ligjor detyrojnë prindërit të adoptojnë fëmijën e tyre biologjik.

Në shtator të vitit 2020, një vajzë – identiteti i të cilës nuk u zbulua – tregoi në “Opinion” se e kishte të pamundur të bëhej nënë, për shkak të disa problemeve shëndetësore në adoleshencë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të saj dhe bashkëshortit. Nisur nga kjo, nëna e saj vendosi që të shërbente si nënë surrogate për fëmijën.

Nga çfarë deklaruan në “Opinion”, nënë e bijë iu nënshtruan fertilizimit in vitro, ku vezët u mblodhën nga nëna biologjike, u fekonduan me spermatozoidin e babait dhe u vendosën në mitrën e nënës surrogate. Nëna surrogate, pra gjyshja, nuk ka lidhje gjenetike me foshnjën sepse nuk është përdorur veza e saj.

Share With:
Translate »
154 Views