Çfarë përfitojnë fëmijët duke praktikuar joga
Yoga për fëmijë, natyrisht, është disi e ndryshme nga ajo për të rritur, por përdoren të njëjtat parime bazë: fryma, trupi, mendja dhe harmonizimi i të tre këtyre elementëve. Kjo arrihet duke bërë lojëra të ndryshme, si dhe duke imituar kafshë ndërkohë që fëmijët vihen në pozicione të ndryshme të yoga-s. Sfida më e madhe me fëmijët është t’i bëni të jenë të vëmendshëm për një kohë të mjaftueshme, në mënyrë që t’u mësoni të mirat e yoga-s, si: ekuilibrin, fleksibilitetin, përqendrimin, paqen, shëndetin dhe mirëqenien. Për fat të mirë, shumicës së fëmijëve u pëlqen të flasin dhe të lëvizin. Të dyja këto gjëra bëhen përmes ushtrimit të yoga-s. Fëmijët do të shfrytëzojnë mundësinë që të luajnë në rolin e kafshëve, pemëve, luleve, luftëtarëve.Roli juaj është që të mos i pengoni dhe t’i lejoni ata të lehin në pozicionin e qenit, të fërshëllejnë në pozicionin e gjarprit helmues dhe të mjaullijnë në pozicionin e maces. Ata mund të thonë edhe alfabetin ose të numërojnë në ato pozicione. Tingulli i ndihmon fëmijët të çlirohen. Fëmijët kanë nevojë ta zbulojnë vetë botën. T’u thuash atyre të mendohen më shumë, ta bëjnë më mirë ose të sillen në një mënyrë të caktuar, sepse u bën mirë, nuk është mënyra e duhur.Në vend të kësaj, sigurojuni një mjedis të qetë, ku mund të krijojnë dhe të zbulojnë të vërtetat e tyre. Teksa ata bëjnë pozicionet e kafshëve dhe të objekteve në natyrë, përkushtohen mendërisht për të thelluar vetëdijen. Kur janë në pozicionin e gjarprit, u thoni të imagjinojnë sikur kanë vetëm një shpinë të gjatë dhe nuk kanë krahë e këmbë. A mund të vrapojnë gjithsesi ose të ngjiten në pemë?Në pozicionin e pemës, kërkojuni të imagjinojnë sikur janë një lis gjigant, me rrënjët që u dalin në fund të këmbëve. A mund të qëndrojnë në të njëjtën pozicion për 100 vjet? A do të përbënte problem, nëse do ta prisnin lisin?A do të lëndoheshin kur shtriqen si qen, rrinë në ekuilibër, si flamengoja, marrin frymë si lepur ose qëndrojnë në këmbë si pemë? Në këtë rast, janë duke bërë lidhjen mes makrokozmosit të mjedisit të tyre dhe mikrokozmosit të trupave të tyre dhe rëndësia e respektimit dhe e parimit të ndërvarësisë bëhet e dukshme.Fëmijët fillojnë të kuptojnë se ne jemi gatuar të gjithë nga i njëjti brumë, thjesht kemi forma të ndryshme. Mendojeni veten si një ndihmës dhe jo si mësues. Drejtojini fëmijët, por lejojini edhe ata t’ju drejtojnë ju. Pa dyshim do t’ju mahnitin dhe do t’ju ftojnë të eksploroni botën bashkë me ta.