Depresioni | Pesë herë më shumë fëmijë janë vetëvrarë sesa kanë vdekur nga COVID në 2020-n
Gati pesë herë më i lartë ka qenë numri i fëmijëve që kanë vrarë veten në krahasim me numrin e atyre që ndërruan jetë për shkak të koronavirusit. Ky është rezultati i nxjerrë nga studimi i Universitetit të mirënjohur britanik “University College London”, në bashkëpunim me “University of York” dhe “University of Liverpool”, që dëshmon se masat anti-COVID kanë qenë shumë herë më të rrezikshme dhe dëmtuese për fëmijët dhe të rinjtë sesa pandemia, që statistikisht është pak problematike për këtë grupmoshë.
Vetëm 25 fëmijë nën moshën 18-vjeç ndërruan jetë nga koronavirusi që prej fillimit të pandemisë deri në shkurt 2021, ndërkohë që 124 kryen vetëvrasje dhe 268 fëmijë të tjerë vdiqën nga traumat e marra duke u vetëlënduar. “Risku i largimit të fëmijëve dhe të rinjve nga aktivitetet normale edukuese dhe sociale është një risk më i madh se SARS-CoV-2”- shkruhet në fjalitë konkluduese të studimit në fjalë.
Në terma statistikore, gjasat që një fëmijë të vdesë nga koronavirusi janë 1 në 480 mijë, por dhuna në familje, ankthi, pasiguria, ndërprerja e marrëdhënieve sociale, izolimi, mungesa e kontaktit me bashkëmoshatarë dhe prishja e rutinës janë faktorë që ndikojnë në përkeqësimin e shëndetit mendor tek fëmijët, çka pashmangshmërit sjell depresionin dhe në rastet më ekstreme vetëvrasjen.