Dëshmia e 12 vjeçares: Abu zim seks ual dhe bullizëm tek “Zyber Hallulli”
“Fiks Fare” sjell historinë tronditëse të një 12 vjeçarje, e cila tregon se është bullizuar, rrahur e keqtrajtuar nga bashkëmoshatarët, brenda mureve të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”.
Ajo është institucionalizuar në Institucionet e përkujdesit që 40 ditëshe. Deri në moshën 6 vjeçare ajo tregon se ka kaluar një fëmijëri të qetë , dhe se problemet filluan me vajtjen tek “Zyber Hallulli”.
Pas 12 vjetësh, ajo u kthye tek e ëma, e cila arriti ta merrte vajzën ligjërisht, pas një kalvari të gjatë gjyqësor. Në momentin që filloi jetesën me të ëmën, ajo vuri re që vajza, shfaqte probleme shumë të rënda psikologjike. Këto probleme i kish filluar qysh në muajt e fundit të qëndrimit në Institucion. Vajza i thoshte vazhdimisht që donte t’i bënte keq vetes, donte ta godiste kokën në mur apo të hidhej nga lartësia. Këto sjellje i konfirmon edhe ish drejtoresha e Institucionit Lejla Çutra.
Gjatë një takimi në zyrë me gazetaren e Fiksit , në prani të psikologes së Institucionit e pranojnë që ajo i ka rënë murit me kokë, ka hipur tek dritarja, por nuk arrinin të kuptonin dot sjelljen e rënduar të saj, ndaj menduan që ta shtronin në spital. Ku t’i bëhej një vlerësim edhe më i specializuar.
Në rrëfimin e saj, vajza tregon se rrihej dhe keqtrajtohej rregullisht nga një bashkëmoshatare e cila kish ardhur nga Shtëpia e Fëmijës Durrës. Ajo e rrihte thuajse çdo ditë duke ja bërë jetën dhe qëndrimin shumë të vështirë. Aq sa, ajo gjente shpëtim vetëm tek psikologia e Institucionit.
Ajo tregon se sa herë kthehej nga shkolla, kërkonte të rrinte vetëm me të. Pas largimit të kësaj vajze, atë nisi ta persekutonte një tjetër vajzë, më e madhe në moshë, që vinte nga jeta e rrugës. Ajo e shante me fjalor të ulët dhe përdorte fjalë shumë ofenduese ndaj 12 vjeçares. Sipas saj, edukatoret e dinin që kjo ndodhte, por në shumicën e rasteve nuk tregonte pasi kishte frikë. Persekutimin dhe bullizmin e ushtruar ndaj vajzës e pranojnë edhe psikologia dhe ish drejtoresha.
Zj. Çatra e pranon që Insitucionit “Zyber Hallulli” i ka humbur misioni. Aty nuk ka më jetimë. Që me futjen në këtë Institucion të fëmijëve të marrë nga rruga, që kanë njohje e lidhje u bë e pa mundur trajtimi. “Nuk është as stafi i duhur dhe as misioni i institucionit për të trajtuar fëmijët e rrugës” pranon ish drejtoresha.
Fiksi i kërkoi informacion zyrtar Institucionit dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale. Zyrtarisht qëndrimi i ish drejtoreshës ndryshoi. Sipas Ministrisë dhe Institucionit, ky i fundit ka të gjitha kapacitetet dhe stafin e duhur për të pritur edhe këta fëmijë të rrugës, siç i quan Lejla Çatra dhe se situata në këtë shtëpi fëmije është nën kontroll të plotë.
Duke parë gjendjen e rënduar të vajzës, nëna dyshonte se ajo mund të jetë abuzuar gjatë kohës që kish qëndruar në institucion. Ajo bën një denoncim në polici dhe çështja shkon në prokurori. Vajza merret në pyetje nga një psikologe dhe prokuroria vetëm një herë. Gjatë këtij takimi ajo pranon dhunën e ushtruar, dëshmon se ka një urrejtje ndaj djemëve e që nuk i duron dot, por mbi të gjitha mohon kategorikisht të jetë abuzuar seksualisht.
Nesër, Fiksi do të vazhdoj me denoncimin e vajzës. Një rrëfim tronditës që është bërë nga vajza tek nëna dhe psikologia e spitalit. Ajo rrëfen dhunën seksuale të ushtruar në ambientet e shkollës ku vijonte mësimin dhe tregon me detaje lojërat seksuale dhe abuzimin e kryer mes bashkëmoshatarëve brenda mureve të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, qysh në moshën 9 vjeçare.