Dietologia që hartoi menunë e çerdheve: Shqetësohuni për cilësinë, jo t’u mbushni barkun fëmijëve
Menuja e re në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës është shoqëruar me reagime nga një pjesë e prindërve, të cilët diskutojnë për futjen e ushqimeve si trahnaja, tërshëra apo dhe shtimin e perimeve.
Dietologia, e cila ka hartuar këtë menu, Blerina Bombaj, garanton se ushqimet e reja kanë të gjitha vlera ushqyese që nevojiten për mirërritjen e fëmijëve, të cilët kanë konsumuar vakte të varfëra që mbusheshin me yndyrna dhe shqerna, edhe pse prindërit janë ndjerë të kënaqur se u është ngopur barku.
Blerina Bombaj: Te menuja ka patur tepricë kalorike, por me kalori boshe dhe lëndët ushqyese kanë munguar në mënyrë thelbësore. Kjo menu është hartuar që brenda 3 vakteve të merren në sasinë pothuajse 70% të nevojave ditore të elementeve nutritivë më esencialë. Kemi vënë specin e kuq, kemi vënë bizelen, karrotën, kungullin, qepën, akoma dhe hudhrën në gatim për shije por edhe për vetitë e saj antimikrobiale të shkëlqyera. Kemi vënë thjerrëza, kemi vënë fasule, kemi vënë qiqrat, kemi vënë për herë të parë brokolin dhe lulelakrën që janë perime të cilat kanë një forcë mbrojtëse të jashtëzakonshme për të vegjël e të rritur.
Por çfarë vlerash kanë ushqimet e reja në menu si tërshëra apo trahnaja?
Blerina Bombaj: Në Shqipëri ka një bindje që kur dëgjon tërshërë është për dobësim, por në fakt ka fibra, minerale dhe ato karbohidrate rezistente që ushqejnë florën bakteriale të fëmijëve dhe është një ndër 10 ushqimet top në botë më të shëndetshme për njeriun. Ne quajmë trahananë dhe fasulet gjellë për të varfërit. Në fakt trahanaja është një drith i fementuar. Fermentimi që i bëhet trahanasë nëpërmjet kosit, atyre mikroorganizmave, i jep drithit mundësinë të clirojë gjithë lëndët ushqyese që ka.
Lidhur me shqetësimin që ngrenë prindërit se në çerdhe është hequr mishi, Bombaj sqaron se në menu ka tre herë në javë mish dhe shqetësim duhet të jetë cilësia dhe jo sasia.
Blerina Bombaj: Përdorimi i mishit është 3-4 herë. 1-2 herë është vendosur mishi i vicit dhe jemi përpjekur që të zgjedhim të jemi brenda mjaftueshmërisë, fëmija të mos marrë kurrsesi më pak se ç’i nevojitet.
Bombaj u bën apel prindërve që të ndërgjegjësohen për ushqyerjen e shëndetshme të fëmijëve, të cilëve në moshën të vogël u mësohet më mirë zakonet ushqimore.
Blerina Bombaj: Është më e thjeshtë se kurrë në këtë moshë që ne të ndërtojmë zakone të shëndetshme ushqimore. Fëmija do të marrë atë që ne i servirim. Fëmija do të edukohet ashtu siç ne e mësojmë. I bëj thirrje të gjitha nënave që ta përkrahin se është më e mira për fëmijët e tyre në këtë moshë.
Menuja e re e çerdheve është studiuar dhe nga mjekët pediatër, gjithashtu ajo është bazuar edhe në udhëzimet e organizatave ndërkombëtare në fushën e ushqimit.