Dilema e fëmijëve në divorc… Me cilin prind duhet të jetoj?

Divorci është një fenomen që po dominon gjithmonë e më shumë në shoqërinë tonë. Arsyet janë të shumta, por nuk do ndalemi tek shkaqet pse ndodh dhe si. Fokusi në këtë shkrim do të jetë nëse fëmijët janë në gjendje vendosin se me kë duhet të jetojnë. A kanë të drejtë fëmijët të zgjedhin me kë duan të jetojnë apo ligjet dhe rregullat duhet të vendosin për fatin e tyre?!

Dihet që gjatë një divorci, prindërit janë në një garë se kush mundet të marrë fëmijët përsipër. Në rastet më të shumta, të dy prindërit kanë të drejtë të marrin pjesë në mirërritjen e fëmijëve të tyre, por problemi është se cili prind do t’i strehojë dhe kujdeset për pjesën më të madhe të kohës. Organet që merren me këtë problem, shikojnë parametrat e të dy prindërve pavarësisht nga mosha e fëmijëve dhe sa munden ata të vendosin. Shikohet:

  1. mundësia ekonomike e prindërve,
  2. a është prindi një model pozitiv që fëmija mund t’i referohet
  3. shëndeti fizik dhe mendor i të dy prindërve
  4. marrëdhënia që ka secili prind me fëmijën

Këta faktorë merren në analizë të plotë nga organet përkatëse, dhe pastaj nëse fëmija është në gjendje të shprehë mendimin e vet, atëherë vendimi i fëmijës mund të konsiderohet. Megjithatë, në shtete të ndryshme, mosha e fëmijës, që mund të jetë në gjendje, varion. Në disa shtete, fëmija duhet të jetë 12 vjeç që të vendosë me kë do të jetojë dhe në disa vende të tjera është 15. Në disa vende, fëmija kalon disa seanca me psikolog që ky i fundit të futet pak në botën e fëmijës dhe marrëdhëniet që ka me prindërit.

Fëmijët zakonisht anojnë nga prindi me të cilin kanë marrëdhënie më të ngushtë. Për shumicën, mund të jetë nëna dhe në shumë pak raste është babai. Serish këtu hasim me konflikte që marrin kohë dhe diskutim, si nga organet përgjegjëse por edhe nga vetë prindërit dhe fëmija. Nëse një fëmijë do të zgjidhte të shkonte me nënën, por nëna nuk është ekonomikisht në gjendje të mirërrisë fëmijën, atëherë vendimi nuk mund të lihet në duart e fëmijës. Po kështu mund të ndodhë për prindin tjetër, babanë.

Nëse babai ka marrëdhënie të ngushta me fëmijën, por ka probleme si, pija ose probleme të tjera psikologjike, fëmija nuk mund t’i jepet babait edhe sikur ai të jetë ekonomikisht i fuqishëm. Pala që nuk arrin të “fitojë” që të mund të strehojë fëmijën pjesën më të madhe të kohës, zakonisht ka të drejtë një numër të caktuar ditësh në javë të kontaktojë fëmijën.

Nga kërkimet dhe statistikat, është vërtetuar që nëse prindërit ndajnë kujdesin për fëmijën e tyre, dhe respektojnë çfarë fëmija mund të ndjejë dhe si e percepton situatën, divorci nuk ka atë efekt negativ për një kohë të gjatë, siç ne mendojmë, ose më mirë, siç është mentaliteti. Duhet bërë njëfarë “kompromisi” që marrëdhëniet me fëmijën mos të dobësohen, ndjenjat e tyre të jenë parësore dhe të dëgjohen për të forcuar marrëdhënien prind-fëmijë. Fokusi janë Ata!

Share With:
Translate »
889 Views