Doktor Pipero: Në fund të qershorit besoj se Shqipëria arrin Imunitetin e Masës

Mjeku infeksionit Pëllumb Pipero thotë se me këto ritme vaksinimi, Shqipëria mund të arrijë Herd Immunity- imunitetin e masës në fund të qershorit.

Në intervistën për Top Channel, doktor Pipero u pyet nëse ka një plan nëse vaksinimi mund të ndalet në vendin tonë. Por ai theksoi se nuk ka asnjë arsye pse të ndodhë, duke shtuar se Shqipëria ka siguruar vaksina dhe ka nënshkruar kontrata me disa kompani prodhuese të vaksinave:

“Nuk shoh asnjë arsye të ndalohet procesi, janë lidhur disa kontrata me kompanitë prodhuese. Edhe nëse ndalim hapat ne nuk na lë bota, duhet doemos të nxitojmë në procesin e vaksinimit dhe nëse vazhdojmë me këto ritme do të thotë që objektivi për të pasur 500 mijë të vaksinuar deri në fund të majit do të tejkalohet. Besoj se duke shtuar ritmet e vaksinimit nga fundi qershorit do arrijmë imunitetin e tufës. Do të kemi arritur imunizimin e 75% të shqiptarëve për të mundësuar një sezon turistik të qetë dhe një fund viti optimist”.

Për vaksinat edhe efektet e mundshme anësore, mjeku Pipero tha se deri tani në Shqipëri nuk ka pasur asnjë rast problematik:

“Në vendin tonë është një tjetër komitet, ai i verifikimit të efekteve anësore. Nuk kam të dhënë zyrtare të këtij institucioni përsa i përket efekteve anësore. Efekte kryesore të vaksinave janë efektet momentale që verifikohen gjysmë ore pas vaksinës. Nuk njihet asnjë rast alergjik deri tani. Efektet e tjera më të larta janë 1 në 3 ditë, dhimbja në vendin e vaksinimit, temperatura që zgjat 2 ose 3 ditë. Këto janë efektet anësore. Efektet të tjera si mpiksja e gjakut, kryesisht i referohet AstraZenecas dhe Johnson & Johnson ne nuk kemi raste të raportuar ende. Vëmendja e të gjithë vaksinatorëve është shumë e madhe për të evidentuar çdo efekt anësor, sepse është një problem madhor dhe do kujdes madhor”.

Share With:
Translate »
136 Views