Drama e babait të dy vajzave dhe tentativa e dytë për t’u vetëvrarë
Autoritetet kanë mundur të parandalojnë këtë të enjte një tjetër tentativë vetëvrasjeje nga Saimir Zalli, e dyta brenda pak javës. Pasi tentoi të hidhej nga vinçi në qendër të kryeqytetit, 35 – vjeçari nga Lezha mëngjesin e sotëm u përpoq t’i vinte flakën vetes. Ai ndodhej para ambienteve të parlamentit, kur hodhi benzinë mbi trup dhe nuk nguroi të ndizte shkrepësen. Ndërhyrja në kohë e forcave të sigurisë së Gardës së Republikës, bëri që të parandalohej një ngjarje me pasoja të rënda. Zalli mbeti i lënduar dhe u dërgua në spital. Kjo nuk është hera e parë që Saimir Zalli tenton të kryejë një akt ekstrem. Të hënën e 16 Tetorit, ai u ngjit në një vinç, në tentativë për t’u hedhur.
U deshën 2 orë negociata që i riu nga Lezha të zbriste. Por cila është drama e babait dy vajzave, që për të dytën herë tenton të kryejë një veprim ekstrem në rrugët e Tiranës? I shoqëruar në polici pas herës së parë që tentoi të vetëvritej, Zalli zbuloi se ishte divorcuar nga bashkëshortja dhe se prej shumë kohësh i mohohej e drejta për të takuar dy vajzat e mitura, të drejtë të cilën sipas tij, e kishte fituar me gjykatë. Por sa herë kërkonte të takonte ish – bashkëshorten, kjo e fundit i bënte denoncim në polici. Pasi zbriti nga vinçi, në ambientet e Komisariatit Numër 1, Zalli u shpreh se mes rrugës që të vriste ish – bashkëshorten zgjodhi tentativën për të vrarë veten. Ai u shpreh para oficerëve të Policisë Gjyqësore se nuk kishte arsye për të jetuar, nëse nuk takonte vajzat.