Dukagjin Lipa rrëfen si i rriti fëmijët me dashurinë për Kosovën dhe rrënjët shqiptare

Dukagjin Lipa, babai i yllit ndërkombëtar të muzikës Dua Lipa, ka folur për mënyrën se si ai dhe bashkëshortja e tij, Anesa, i kanë rritur fëmijët duke ruajtur një lidhje të fortë me Kosovën, gjuhën shqipe dhe trashëgiminë shqiptare.

Në një intervistë për “Across the Balkans”, Dukagjin Lipa u pyet se si familja kishte arritur t’ua përcillte fëmijëve një ndjenjë kaq të fortë përkatësie dhe dashurie për vendlindjen, pavarësisht se ata u rritën dhe ndërtuan karrierat e tyre në një mjedis ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

Dukagjin Lipa tha se gjithçka nisi nga krenaria e tyre për prejardhjen.

Ne jemi shumë, shumë krenarë për atë që jemi dhe nga vijmë, dhe kjo është përcjellë te fëmijët tanë”, u shpreh ai.

Ai tregoi se në familje përpiqeshin të flisnin shqip sa më shumë që të ishte e mundur, edhe kur ndodheshin në Londër apo në vende të tjera të botës.

Përpiqemi të flasim shqip sa më shumë që mundemi, kur jemi në Londër, kur jemi kudo në botë”, tha ai.

Duke folur për marrëdhënien e veçantë që ka me vajzën e tij, Dua Lipën, ai tregoi edhe një detaj të veçantë nga jeta e tyre familjare. Sipas tij, kur donin të thoshin diçka në mënyrë private, ata kalonin në gjuhën shqipe.

Ndonjëherë me Duan, kur duhet të themi diçka në fshehtësi, e kthejmë në shqip. Kjo është gjuha jonë sekrete”, tregoi Dukagjin Lipa.

Për të, ruajtja e identitetit lidhet drejtpërdrejt me pranimin dhe dashurinë për prejardhjen.

Besoj se duhet ta përqafosh atë që je dhe të jesh krenar për atë që je, ta duash trashëgiminë dhe historinë tënde dhe të jesh krenar për të”, theksoi ai.

Dukagjin Lipa tha se një nga mesazhet më të rëndësishme që prindërit duhet t’u përcjellin fëmijëve është që të mos ndihen të turpëruar nga vendi prej nga vijnë apo nga gjuhët që flasin.

Duhet t’u tregosh fëmijëve se nuk duhet të kenë turp nga vendi prej nga vijnë dhe nga gjuhët që flasin”, u shpreh ai.

Familja Lipa jetoi për disa vite në Londër, ku Dua Lipa lindi, ndërsa më vonë u kthye në Prishtinë. Lidhja me Kosovën dhe identitetin shqiptar ka mbetur një pjesë e rëndësishme e jetës së këngëtares, e cila në shumë raste ka folur publikisht për origjinën e saj.

Kjo lidhje është shfaqur edhe përmes angazhimeve të familjes Lipa në jetën kulturore të Kosovës. Dukagjin Lipa është një nga figurat kryesore pas Sunny Hill Festival, ndërsa Dua Lipa e ka përdorur vazhdimisht platformën e saj ndërkombëtare për të promovuar Kosovën dhe kulturën shqiptare.

Rrëfimi i Dukagjin Lipës tregon se, përtej suksesit ndërkombëtar, për familjen Lipa ruajtja e gjuhës, historisë dhe trashëgimisë ka qenë një pjesë e rëndësishme e edukimit të fëmijëve – një mënyrë për t’u siguruar që lidhja me rrënjët të mos humbiste pavarësisht se ku do t’i çonte jeta./KultPlus.com

Share With:
Translate »
5 Views