Dy kunata si dy motra, Juliana Pasha dhe Miranda Dupi rrëfejnë marrëdhënien e tyre

Një nga problemet më të sikletshme që mund të kenë gjithmonë personazhet e njohur është veshja skenike. Marka nuk mjafton, sepse nuk mund të dukesh bukur vetëm me një emër të madh brendi. Pas tij është një dorë shumë e mirë kuruesi që çon gjithçka aty ku duhet. Nëse ky i fundit është pjesë e familjes, ku ka fat më të madh?

Juliana Pasha është e lindur me fat, sepse kunata e saj, Miranda Dupi, kujdeset në çdo dalje të saj skenike. Kanë qenë të shumta rastet kur veshja e Julit është komentuar gjithandej, mes kolegësh e rrjete sociale. Megjithëse është natyrë që nuk do të provokojë asnjëherë me veshjet që zgjedh, Juli ia ka lënë veten në dorë Mirandës, sepse ajo e njeh mirë tashmë, prej vitesh, dhe di deri ku mund të shkojë e deri ku të guxojë me imazhin e kunatës së saj.

Për herë të parë, Juli dhe Miranda kanë qenë të ftuara në “Rudina”, pasditen e sotme, për të rrëfyer më shumë për raportin që i lidh jashtë familjes.

Dy nuset e shtëpisë (bashkëshortët e Julit dhe Mirandës janë vëllezër) kanë shkuar mjaft mirë që nga momenti që janë takuar për herë të parë, por pasi Juli ia besoi edhe imazhin e saj Mirandës, marrëdhënia u bë edhe më e fortë.

Po si është Juli në stil, sipas syrit të Mirandës? Jo vetëm sepse është kunata e saj, por sepse është natyrë potente (kjo është e dukshme), Miranda thotë se: “Juli është stil …. është e fortë, bëhet e brishtë, është sipas këngës. Në një baladë mund të dojë diçka më të lehtë, diku tjetër më të fortë. Juli është këngëtare potente dhe veshja kështu i përshtatet”.

“Jo më kot, një nga fustanet e mi peshon më shumë se 5 kg”, – ndërhyn Juli duke theksuar se ndihet me fat që ka shpëtuar për pjesën e imazhit në të gjitha daljet skenike: “Një nga gjërat për të cilat artistët shqiptarë kanë vuajtur gjithmonë ka qenë kujdesi për imazhin. Unë e ndiej veten me fat që kam Mirandën, sepse ashtu siç e shoh unë veten në pasqyrë, nuk e sheh Miranda. Unë asnjëherë nuk arrij ta mendoj veten jashtë një stili tjetër, ndërsa Miranda eksperimenton dhe guxon më shumë se unë. Që prej vitit 2008, kur Miranda më solli fustanin e parë për Këngën Magjike pa më bërë asnjë provë, arriti të kuptonte se çfarë doja unë”, – shton Juli.

Po ndonjë rast kur Juli, si artiste bëhet nervoze, sepse nuk i pëlqen veshja? Këto raste janë të pakta, por edhe nëse ndodh, është atëherë kur këngëtarja nuk do të provokojë: “Juli nuk do të vishet asnjëherë provokuese dhe nëse unë i them ndonjëherë “vish ndonjë gjë më të shkurtër”, ajo refuzon…”

Jashtë shtëpisë, strehës ku mblidhen bashkë me dy vëllezërit, Miranda dhe Juli nuk janë më kunata, por dy shoqe të ngushta që ia njohin mirë pikat e forta njëra-tjetrës, madje edhe atëherë kur ka ndonjë detaj të vogël mospëlqimi. Por janë të lumtura, në çdo rast, që kanë njëra-tjetrën. Juli, sepse ka pranë një njeri që jo vetëm i kuron imazhin, por edhe e mbështet në gjithçka bën, ndërsa Miranda, sepse ka pranë një artiste me dimensione të gjera – nga ato që, është vërtet fat t’i kesh në jetë.

Share With:
Translate »
1452 Views