E bija e Niko Peleshit shkruan fjalë zemre për të atin, mesazh nga i cili kuptuam shumë…
Niko Peleshi po e feston ditëlindjen e tij larg familjes, në një mbledhje joformale të qeverisë. Megjithatë dhuratën nga e bija e ka marrë. Është një urim i gjatë, që, sa kohë ai nuk i ka qejf dhuratat materiale, siç zbulon Aleksia, duhet t’i ketë pëlqyer më shumë sesa çdo gjë tjetër.
Profili që Aleksia e bukur zbulon në këtë urim me fjalë që nuk ia thotë çdo ditë, edhe pse ai do i meritonte, sipas vajzës së deputetit, do shërbente si një mbështetje e shkëlqyer në çdo fushatë zgjedhore për Nikon. Megjithatë këtu nuk hyjnë zgjedhjet, as politika, është vetëm marrëdhënia e sinqertë dhe e fortë e një vajze me babain e saj.
“Babi, ndonëse ty ky 47 vjetor të kishte dalë nga mendja, unë kisha javë që e prisja. Kisha javë që mendohesha se çfarë duhet të bëj që të mos e konsiderosh më ditëlindjen tënde si diçka të parëndësishme. Ty nuk të kanë interesuar kurrë gjërat materiale, ndaj edhe këtë vit, si çdo vit tjetër, po të shkruaj fjalët që rrallëherë t’i shpreh. Më fal për këtë, ti meriton të dëgjosh fjalë dashurie dhe mirënjohjeje çdo ditë. E di që të vlejnë më shumë se çdo dhuratë që mund të të kisha gjetur. Por, disa gjëra janë të vështira për tu shprehur me fjalë.
Personi që unë jam sot është merita jote. Vlerat që unë kam sot, i kam falë teje. Janë gjërat që ti më ke mësuar, vullneti që më ke dhënë, mënyra se si më ke nxitur të mos dorëzohem kurrë dhe të synoj gjithmonë të jem numri 1, që më kanë bërë njeriun që jam tani. Eksperiencat që ke ndarë me mua janë bërë dhe eksperiencat e mia. Fjalët që më thua janë fjalet që unë u them njerëzve të tjerë. “Leksionet” që ti më jep janë leksione që do doja t’i mësonte gjithë bota.
Sikur çdo njeri në botë të kishte vizionin tënd, bota do të ishte një vend i përsosur. Je njeriu më selfless që njoh, ai që gjithmonë mendon se si t’i bëjë të tjerët të lumtur, në vend të vetes së vet. Njeriu të cilit krenaria i shtohet duke bërë diçka të mirë për të tjerët, e jo për veten.
E kam thënë dhe po e them përsëri, edhe gjysma e vlerave të tua do më mjaftonte për tu bërë dikushi në jetë. Jam krenare që të kam baba dhe nuk do të ndërroja me asgjë në botë. Pa ty nuk do të isha kjo që jam dhe çdo arritje e imja do të dedikohet ty. Shpresoj që në të ardhmen të ndihesh dhe ti po aq krenar për mua sa ç’jam unë për ty, pavarësisht se dëshirat tona për të ardhmen time mund të jenë të ndryshme nga njëra-tjetra.
Gëzuar ditëlindjen, babi! Ich liebe dich❤”.
Me këtë rast mësuam që Aleksia nuk është thjesht një vajzë shumë tërheqëse, por dhe e arsimuar mirë…e cila, ndryshe nga ç’ndodh zakonisht, ka shkruar një tekst shumë të gjatë pa bërë thuajse asnjë gabim drejtshkrimor. Po i besojmë vërtet fjalët e saj, për rolin e rëndësishëm të Nikos në rritjen e një vajze të lirë, por njëkohësisht të kulturuar.