E dhunoi se kishte lindur vajzë, 22-vjeçarja shqiptare mbahej ‘e burgosur’ bashkë me të bijën nga bashkëshorti

Një ngjarje e tmerrshme është zbuluar në Greqi, ku një 22-vjeçare shqiptare dhunohej barbarisht dhe mbahej mbyllur bashkë me vajzën nga bashkëshorti i saj. Ishin të bërtituratve të resë dhe e qara e vajzës, që shpëtuan këto të fundit nga tmerri që përjetonin prej më shumë se dy vitesh.

Është vetëm 22 vjeçe, por hallet për të kanë nisur shumë shpejt. Për dy vite duroi dhunën barbare nga bashkëshorti i saj, me të cilin ka një vajzë që për ironi të fatit është kthyer në “mollën e sherrit” mes dy prindërve të saj.

Ngjarja e rëndë, ka ndodhur në një fshat te Volosit në Greqinë qendrore, ndërsa viktima e dhunës është Dafina Kurti dhe vajza e saj e mitur.

Çdo gjë u mësua pas episodit të fundit të dhunës që ushtroi 28-vjeçari, Aurel Gëzim Kurti.

Fillimisht ishin të bërtiturat e gruas së re e cila kërkonte ndihmë dhe zëri i fëmijës që qante me të madhe, për të kuptuar se sërish dhunuesi kishte nisur ti godiste. Pas kësaj fqinjët goditën portën e banesës derisa e detyruan ta hapë dhe gjetën brenda 22 vjeçaren Dafina Kurti, me shenja në qafe të krijuara prej tentativës për ta mbytur atë.

Sipas policisë greke, menjëherë autori ka tentuar të largohet, por banorët e mbajtën me force deri në mbërritjen e policisë, e cila e arrestoi dhe e dërgoi në drejtorinë e policisë së Volosit, ku edhe viktima tregoi se mbahej e mbyllur në banese prej 2 vitesh.

Sipas mediave greke, të cilave shqiptarja.com u referohet autori e dhunonte shpesh të renë dhe nuk e lejonte të dilte nga shtëpia. Të njëjtën sjellje kishte edhe ndaj vajzës 2.5 vjeç të çiftit te cilin autori e dhunonte herë pas herë, madje nuk lejonte që ai të vizitohej nga mjekët, siç duhet normalisht të ndodhë me fëmijët e vegjël.

Gruaja e re dhe fëmija u dërguan në një banesë sociale dhe u morën në mbrojtje prej autoriteteve, ndërsa ndaj autorit u ngritën akuza të rënda si plagosje e rëndë me dashje, pengmarrje, dhunë në familje, dhunë ndaj të miturve etj, të cilat do ti kushtojnë atij disa vite burg.

Aktualisht i riu është arrestuar, ndërsa nëna dhe vajza e mitur janë pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Çifti ishte martuar para 4 vitesh dhe që atëherë ishin vendosur në Volos ku 28 vjeçari dhunues punonte në ndërtim, ndërsa viktima mbahej e mbyllur në banesë. Autori do të dërgohet në gjykatë paraditen e së martës.

Share With:
Translate »
51 Views