“E kam mbajtur në një glob xhami”, psikologia flet për djalin: 6 muajt e parë nuk e ka puthur njeri
Muajt e parë të jetës së një foshnjeje janë më të rëndësishmit për t’i siguruar një bazë të fortë imuniteti. Gjatë këtij diskutimi në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, psikologia Ina Xhafa thotë se me djalin e saj, Noah, është treguar shumë mbrojtëse. Në 6-mujorin e parë të tij, ajo nuk ka lejuar askënd t’i afrohet e ta puthë përveç saj dhe bashkëshortit.
Ina Xhafa: Noah është fëmijë që është mbajtur, unë e kam mbajtur pothuajse si në glob xhami 6-mujorin e parë sepse është shumë e rëndësishme që të jetë vërtet i mbrojtur. 6 muajt e parë nuk e ka puthur absolutisht asnjë njeri tjetër Noah-n tim përveç meje dhe tim shoqi. Dija shumë raste të fëmijëve që kanë vdekur nga herpesi i thjeshtë, është një informacion që ne nuk e shpërndajmë fort dhe isha e tmerruar sepse i dija nga afër, por pastaj e kam lënë vërtet super të lirë.
Filloi 6-muajsh që kishte këto zvarritjet dhe një moment, isha duke larë enët në kuzhinë, kthej kokën sepse po e dëgjoja, shumë qetësi.
Katerina Trungu: Aty, frika e mamave, kur ka qetësi.
Ina Xhafa: Kthej kokën dhe e shoh Noah-n, kishte filluar bënte zvarritje vetëm për mbrapsht, nuk ishte mësuar për para. Ishte futur poshtë divanit, kishte arritur cepin e tapetit dhe po e hante. I thashë tim shoqi, urime, ia dolëm që të arrijmë këtë stad me fëmijën e parë.