“E lashë shkollën deri sa të shërohet vëllai”, nënë e bir thirrje ndihme për Orgiton 5-vjeçar
Mezi po i shkruaj këto rreshta. Më dridhen duart. Por duhet, duhet nga unë e plot të tjerë të reflektojmë pak më shumë për shoqërinë e kohëve që jetojmë. Aleksi është 9-vjeç. I ka takuar të jetë burri i familjes në familjen me katër anëtarë. Është djali i parë i çiftit Shira. Ka dhe një vëlla tjetër, 5 vjeç për pak, Orgiton, por prej tetë muajsh jetojnë të ndarë. Fati e desh që pas një fatkeqësie që i ndodhi vëllait të vogël, barra e përgjegjësive fizike t’i bartej Aleksit dhe nënës së tij.
Ishte një ditë e zakonshme si gjithë të tjerat. Kristina e dërgoi të voglin, Orgiton në kopsht, ndërsa djalin e madh Aleksin, në shkollë, në klasë të katërt. Jetojnë në Sauk, në kushte jo fort të mira. Babai i shtëpisë atë ditë nuk ishte në shtëpi. Punonte në furrë, aty ku merrte të ardhura për të mbajtur familjen. Kristina gjithashtu kishte një punë modeste, për t’i ardhur në ndihmë familjes. Por ajo ditë nuk mbaroi ashtu paqësisht siç kishte nisur.
Një lajm i dhimbshëm do t’i trondiste ditën. Nga kopshti e njoftojnë se djali ishte rrëzuar. Por nuk ishte diçka fort e lehtë. Djali kishte rënë nga kati i dytë. Kishte pësuar traumë. Sot e tetë muaj, pas ndërhyrjes dhe vendosjes së një pllakë argjendi, i vogli nuk mundet të ngrihet me këmbët e veta, ndërsa mjekët thonë se shpresa e fundit janë qelizat staminale.
Kristina për fat ndodhet në muajin e nëntë të shtatzënisë. Kjo është shpresa e vetme që një mjek grek në një spital privat në Tiranë, i ka dhënë. E vetme me djalin 9-vjeç, Aleksin, ajo endet rrugëve për të siguruar gjilpërën 4 mijë lekë të reja, që duhet të bëjë çdo ditë Orgito i vogël. Kjo gjilpërë është e vetmja zgjidhje për ta mbajtur në gjendje të voglin para një ndërhyrjeje ku deri më tani janë siguruar pjesa më e madhe e të ardhurave për t’iu rinënshtruar operacionit në palcën kurrizore.
Kristina u shfaq në redaksinë tonë për të gjetur mundësinë e mbledhjes edhe të një fondi prej njëmijë eurosh, e cila do të ndihmojë që operacioni të kryhet shpejt. Plot figura publike i janë përgjigjur ndërkohë, ndërsa sensibilizimi karshi një rasti të tillë kërkon një vëmendje edhe më të madhe. Gruaja shtatzënë thotë se përpiqet të pikturojë e të sigurojë të ardhurat ditore për gjilpërën, që t’ia sigurojë çdo ditë djalit të shtruar në spitalin 5 në Tiranë. Kristina shpreson në ndihmën e gjithkujt që do të vetëofrohet për të mbajtur në jetë Orgiton e saj, edhe pse e ka të qartë se ai do të jetë fizikisht i kufizuar.
Aleksi: E lashë shkollën deri sa të shërohet vëllai
Aleksi është 9-vjeç, një djalë i pashëm, me sy të mëdhenj, jeshilë. Pak brun, ngase dielli i kësaj vere ka lënë gjurmët e veta. I veshur me bluzën e preferuar të Milanit, edhe pse nga zhuritja e ditëve, tregon për vështirësitë që ka kaluar. Është i sjellshëm, i hapur dhe i ndjeshëm për barrën që i ka rënë. Ai tregon për vuajtjet që nisën para tetë muajve, kur vëllai më i vogël pësoi traumë nga rrëzimi nga kati i dytë i kopshtit.
“Jemi të vetëm. Gjyshërit nuk i kam, njerëzit i kemi në Shijak. E përballojmë vetëm me mamin duke dalë e kërkuar ndihmë për vëllanë. Mami pikturon dhe i shet pikturat”. Në rrëfimin e tij, Aleksi është i shpejtë, do t’i tregojë të gjitha. Teksa e pyes për të atin, ai thotë: “Babi është në burg. Është dënuar katër vjet. Ai rrahu edukatoren dhe i nxori thikën në fyt. Roja njoftoi policinë dhe e arrestuan. Tani jam vetëm me mamin. Vëllai është në spital dhe pres të shërohet”. Ai është për vete një djalë i brishtë, edhe pse nuk e jep veten. Por teksa e pyesim se si do t’ia bëjë me mësimet, kur do t’i rikthehet shkollës, ai thotë se nuk mundet, nuk kanë para të blejë libra e të ndjekë shkollën. Jeta e vëllait ka më shumë rëndësi.
Ndërsa me jetën e tij ka një sfidë të radhës. “Kur isha i vogël më kanë bërë një operacion për hapjen e aortave të zemrës. E kam të lindur. Do më duhet të bëj një ndërhyrje tjetër kur të më thotë mjeku”. Rrëfimin e tij e ka fëminor. I pëlqen shumë futbolli, dhe kur ka kohë luan me shokët te lagjja. Ajo që i ka ngjarë këto kohë shpreson të kalojë shpejt. Ndoshta me lindjen e vëllait që nëna pret, do të mund të ndryshojë rrjedha e jetës. Shpreson, sepse fatit asnjëherë nuk i dihet.
Kjo është jeta, sprovë, e në gjurmën e saj nuk mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë.