“E pamundur të hidhen 4 persona njëherësh, a ka pasur bashkëpunëtor…”, çfarë u gjet në vendin ku ndodhi tragjedia e Almës

E diela e 5 majit do të niste e trishtë, e zymtë pas telefonatës që një peshkatar do të bënte në policinë e Shkodrës. Trupi i vajzës 9 vjeç, Ergesës, do të gjendej në këtë zonë të lumit Buna. Gjetja e trupit të saj dha kambanën e alarmit se nëna e zhdukur disa ditë më parë me tre fëmijët e saj mund të ishte vetëflijuar.  Për herë të fundit, ata ishin parë pikërisht buzë lumit, derisa humbën çdo kontakt.

Pasditen e dy majit Alma Arrazi me tre fëmijët e saj dhe kunatën po pinin një kafe në një prej lokaleve të qytetit të Shkodrës.

“Ajo që dëshmitarët tregojnë kryesisht punonjësit e shërbimit ët lokal Panorama në Shkodër është që të dyja gratë janë paraqitur të qeta dhe ishin ulur në një tavolinë pranë vendit ku fëmijët po luanin”, u shpreh gazetarja Anila Hoxha.

Në momentin që kanë dalë, Alma nuk ka dashur të shkojë në shtëpi. Referuar edhe dëshmisë së dhënë nga kunata, ajo kishte thënë se do takonte të vëllanë.

Takimi mes kunatave në këtë lokal ishte i përjavshëm sipas dëshmisë së kamarjerëve. Sipas tyre, Alma ishte një nënë e qetë dhe e përkushtuar me fëmijët e saj.

“E veçanta që kishte parë ditën e fundit ishte se krahasuar me ditët e tjera të dyja gratë shkonin në lokal gjithmonë bashkë dhe në shoqërinë e fëmijëve dhe në datë 2 maj ato kanë shkuar veç. E para ka mbërritur në lokal Alma së bashku me fëmijët dhe më pas ka mbërritur kunata e saj. Nuk ka parë asgjë që mund të ishte ndryshe nga herët e tjera përveç kohës së gjatë që kanë qëndruar në lokal që prisnin fëmijët që po luanin. Kamarjeri më tregoi gjithashtu se Alma ishte një grua shumë e dedikuar për fëmijët e cila qëndronte kryesisht në tavolinën më të afërt dhe ngjitur me fëmijët’ u shpreh Anila Hoxha.

Çfarë u gjet në vendngjarje

Është provuar që nëna e re me tre fëmijët e saj e ka kaluar këtë urë. Më pas në këmbë i është drejtuar zonës së mbuluar me shkurre dhe zhavorr që gjendet në këmbën e urës së Bunës, në krahun që ikën për në Muriqan. Këtu, në këtë pjesë të bregut, policia ka dyshimet më të forta për vendngjarjen. Aty është gjetur një kukull dhe disa letra çokollatash.

“Aty është gjetur një kukull  e cila ishte në vendin ku dyshohet se gruaja është vetëhedhur dhe gjithashtu janë gjetur edhe produkte ushqimore të fëmijëve çokollatë edhe patatina dhe prej aty kanë nisur edhe kërkimet”, u shpreh gazetarja Anila Hoxha

Kjo lule mendohet se është shkëputur nga kukulla e njërës prej vajzave pasi ka ngjyrë dhe material identik. Burimet saktësuan për Inside Story se kukulla i është treguar familjarëve të cilët konfirmuan se ishte e vajzave të ndjera.

Mendohet se nëna e re, e dëshpëruar dhe në kushtet e një tronditje të thellë mendore është vetëhedhur bashkë me fëmijët në lumë. Kjo si shenjë hakmarrje ndaj bashkëshortit dhe tradhëtisë së tij. Për shkak të dhunës psikologjike të vazhdueshme, Erdgys Arrazi, është sot në pranga nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes. Por, dinamika konkrete se si janë hedhur fëmijët, mbetet ende mister. Ndoshta, kjo nuk ka për t’u mësuar kurrë.

“Nuk mundet dot të ngresh një akuzë ndaj bashkëshortit, pavarësisht rrethanave duke thënë që e ka sharë në mënyrë të vazhdueshme dhe pastaj i ka kapur në celular një video të një personi tjetër. Për këto dy gjëra askush në Republikën e Shqipërisë nuk shkon në burg 7 vjet por është absurde se është një ligj gabim. Neni 99 i kodit penal është i ndërtuar keq dhe është shumë subjektiv”, u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.

Një mundësi tjetër është që nëna të jetë vetëhdhur dhe fëmijët ta kenë ndjekur pas, të rrëmbyer nga emocionet. Sipas ekspertëve të kriminalistikës, do të duhet që të rindërtohet ngjarja që të përcaktojë se kush ka humbur jetën i pari dhe se si mund të ketë ndodhur ngjarja.

“Grupi hetimor duhet të përcaktojë saktësisht jo vetëm itinerarin por edhe vendin fiks ku viktimat janë hedhur për në lumë. Të përcaktojë mënyrë se si është realizuar hedhja e viktimave në lumë. Të gjitha këto dinamika duken se për publikun nuk kanë rëndësi, por kanë rëndësi për hetimet. Për të kuptuar faktin e thjesht a kemi të bëjmë me një vepër penale të kryer vetëm nga nëna e fëmijëve, a kemi bashkëpunëtor të tjerë të mundshëm, dhe në fund mënyrën se si është kryer mbytja e tre fëmijëve pasi edhe në pikëpamje të thjeshtë të një logjike njerëzore është e pamundur që 4 persona të hidhen menjëherë në ujë dhe të mbyten menjëherë”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beçi.

Cila ishte dinamika e mbytjes së Almës me tre fëmijët

E rëndësishme është që të kryhen edhe ekspertimet tokikologjike pasi mendohet se fëmijët mund të kenë qenë nën efektin e qetësuesve. Të paktën, kjo është një tjetër pistë që ngrenë ekspertët mbi rrethanat reale se si fëmijët mund të kenë përfunduar në ujrat e Bunës. Është e vështirë të mendohet se një fëmijë hidhet me vetëdije.

“Analizat toksikologjike përgjithësisht përcaktojnë faktin nëse viktimat kanë përdorur substanca të ndryshme qoftë qetësuese qoftë stimuluese de këto merren nëpërmjet mostrave të gjakut, pjesëve të stomakut nga autopsia e kryer nga ana e mjekut ligjor për të parë shkakun dhe detaje në trupin e viktimave për të përcaktuar përfundimisht se nën efektin e ndonjë ilaçi qetësuesi kanë qënë apo jo viktimat dhe a kanë patur dhunë fizike”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beçi

Pas gjetjes së trupit të vajzës së parë, menjëherë nisën operacionet e kërkimit ditë e natë. Deri në atë moment, askush nuk kishte dyshuar për mbytjen në lum, pavarësisht denoncimit të kryefmailjarit për zhdukjen e Almës dhe fëmijëve. Efektivët e FNSH Shkodër dhe RENEA i përqendruan kërkimet në ujërat e Bunës. Një operacion mjaft i vështirë për shkak të rrymave të forta që ka ky lumë.

“Nga darka filluan të angazhohen peshkatarët. Mëngjesin e të nesërmes kërkuan ndihmë nga emergjencat civile, ushtria e gjithçka. Pse u vonuan nuk ishte e justifikuar vonesë se mund të mos gjendeshin më viktimat”, u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço

Grupi i Inside Story ka qenë pjesë e kërkimeve intensive duke dokumentuar edhe rrezikun që u kanosej pulumbarëve. Ata, ishin në luftë me kohën. Zona e zhdukjes së trupave është pranë grykëderdhjes dhe nëse përfundonin në det, ndoshta nuk mund të gjendeshin kurrë.

Shumë afër vendit që mendohet se kanë qëndruar para se të përpiheshin nga ujërat e ftohtë të Bunës u gjet trupi i njërës prej vajzave. Kanë kaluar më shumë se 72 orë kërkime nga polumbarët e Reneas, peshkatarët e zonës, ushtria e policia. Të gjithë ishim në luftë me kohën dhe me ujrat e rrëmbyeshëm të Bunës. Frika që i druheshim të gjithë ishte se ndoshta nuk do të lokalizonin dot trupat e tjerë. Por të martën e 7 Majit polumbarët do të sinjalizonin një ljam të mirë në këtë tragjedi të madhe. Në një distancë më pak se 3 km nga vendi ku mendohet se fëmijët dhe nëna kanë rënë në ujë, u gjet edhe trupi i Arditit të vogël. Me vetëm pak orë diferencë po atë ditë do të gjendej edhe trupi i nënës së tyre, Alma Arrazit. Kjo e fundit u gjet shumë larg, rreth 35 kilometra nga ura e Bunës.

Share With:
Translate »
80 Views