E veçantë në Elbasan/ I burgosuri feston datëlindjen e të birit 7 vjeç me familjen në IEVP
Një histori e rrallë dhe mjaft emocionuese ishte ajo ndodhi këtë javë në Institutin e Ekzekutimit të Veprave Penale në Bradashesh të Elbasanit.Një i paraburgosur, i djegur nga malli për dy fëmijët e tij të mitur dhe familjen pasi prej shumë muajsh ndodhet i izoluar në qeli për shkak të problemeve me ligjin u kishte kërkuar autoriteteve që ti jepnin mundësinë atij ti festonte aty ditëlindjen djalit që mbushte 7 vjeç sot.
Në përputhje me ligjin ,me leje të titullarit të institucionit , atij i është mundësuar organizimi i ditëlindjes së djalit të tij 7 vjeç në ambient të hapur brenda IEVP, Bradashesh.
Ky organizim i rrallë festiv për ditëlindjen e djalit të mitur të të paraburgosurit 50 vjeçar që ndodhet aty prej afro një viti e gjysëm, vlerësohet si një stimul i nevojshëm për të dhe për çdo të dënuar që manifeston sjellje korrekte dhe që ndjek programet e rehabilitimit dhe riedukimit.
Një ditë si kjo e festimit të ditëlindjes së të miturit brenda ambienteve të Paraburgimit, aty ku babai i tij kishte këmbëngulur të bëhej, në pamje të parë duket e pazakontë, por ajo merr vlera për mesazhin që jep dhe tregon se sa rëndësi ka të jesh korrekt me ligjin dhe se ngjarjet më të bukura të jetës duhen shijuar në liri.
Në IEVP në Bradashesh të Elbasanit, kohët e fundit po i kushtohet gjithnjë e më shumë rëndësi zhvillimit të programeve integruese, individuale ose në grup, të cilat eleminojnë ndikimet paragjykuese dhe negative të paraburgimit
Gjithashtu gjatë muajve të fundit aty nuk kanë munguar nismat për ri-integrimin e këtyre personave sepse ky është edhe interesi i përbashkët i të gjithë shoqërisë.
Edhe rasti i organizimit të ditëlindjes së 7-vjeçarit në ambientet e këtij Paraburgimi është një tregues i qartë për krijimin e kushteve të favorshme për ruajtjen e marrëdhënieve të shëndetshme me familjet e tyre.
Torta, Kartolina e Urimit dhe dhuratat e bëra nga i ati e kanë surprizuar 7-vjeçarin i cili duke fikur qirinjtë ka shprehur dëshirën e madhe të tij që i ati të rifitojë lirinë e ti bashkohet familjes si prind shembullor, i dashur dhe korrekt me ligjin.
50 vjeçari i përlotur ju ka premtuar fëmijëve dhe bashkëshortes se ai do ti bëjë ata të ndjehen krenar dhe do të jetë në ardhmen shembull pozitiv në çdo aspekt.
Ai ndodhet i ndaluar prej 2 Korrikut 2023 dhe i akuzuar për prodhim dhe shitje narkotikësh. 50-vjeçarit ju mundësua ti festonte ditëlindjen të birit 7 vjeç në ambientin e Paraburgimit nisur nga vlerësimi pozitiv dhe sjellja shembullore nga Sektori i Çështjeve Shoqërore dhe stafi i IEVP Elbasan.
Kjo ditëlindje kaq e veçantë e organizuar në oborrin e Paraburgimit të Bradasheshit në Elbasan është cilësuar si një ngjarje e rrallë, por jashtëzakonisht e bukur e cila është përjetuar me emocione jo vetëm nga 50-vjeçari i paraburgosur por edhe nga stafi dhe drejtuesit e IEVP, Bradashesh në Elbasan.
Rrethanat në të cilat 50 vjeçari ndodhej në festën e ditëlindjes të të birit janë të pazakonta, por ai e gjeti zgjidhjen për të lumturuar të birin e mitur në Ditën e Lindjes duke i dhuruar momente gëzimi dhe lumturie, atij, djalit tjetër dhe bashkëshortes. Festimi i ditëlindjes së 7 vjeçarit është një shembull mjaft domethënës i cili jo vetëm forcon lidhjet familjare por edhe nxit ndjenjën e përgjegjësisë për të qenë një qytetar i denjë dhe tepër korrekt për sa i takon respektimit të ligjit.
Kjo që ka ndodhur në IEVP e Elbasanit është dëshmi e qasjes motivuese dhe rehabilituese që ky institucion ka zgjedhur të ndjekë.
Është koha që jo vetëm institucionet shtetërore por të gjithë të investohen edhe më shumë për rehabilitimin dhe edukimin e shkelësve të ligjit në mënyrë që perspektiva e tyre të jetë mjaft më e mirë se ajo që kishin kur ata përfunduan pas hekurave.
/Nga Fatmir Popja – News 24