Eliona Demaliaj: Tashmë jemi pikë referimi për diagnozën prenatale
Ka përfunduar dje, trajnimi i organizuar nga Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik, “Fetal Medicine Foundation Course Advance in Fetal Medicine”. Marrëveshja e lidhur mes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë dhe Ministrise së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë ka prioritet avancimin e shërbimit prenatal
nëpërmjet bashkëpunimit të mjekëve në aspektin ndërkombëtar dhe rëndësinë e diagnozës fetale para lindjes, si pjesë e rëndësishme e shërbimit shëndetësor për nënën dhe fëmijën. Zhvillimi i shërbimeve të mjekësisë fetale përfshin vlerësimine grave me rrezik të shtuar për anomalitë fetale, konfirmon diagnozën e anomalive të fetusit, fillon monitorimin e vazhdueshëm të shtatzënive, aty ku është e përshtatshme, ndërmerr procedura intervenuese dhe terapeutike, si transfuzioni i gjakut të fetusit,vlerëson dhe ekzaminon komplikimet e mundshme në lindjet e shumëfishta, anomalitë morfologjike dhe ekzaminime të tjera të domosdoshme të shëndetit të nënës dhe foshnjës.
“Pasja e ketij Uniti ne SUOGJ “Mbreteresha Geraldine” është një privilegj për spitalin tonë sepse jo vetëm përforcohet fakti që jemi pikë referimi për diagnozën prenatale të nivelit tercial, por ky bashkëpunim do të na ndihmojë ne dhe mjekët e tjerë obsteter gjinekolog ne Shqiperi për kërkime shkencor dhe trajnime të metejshme.
Do të rritet bashëkpunimi institucional dhe mjekësor me profesor apo kërkues shkencor në fushën e mjekësisë fetale dhe jo vetëm. Vlen të theksohet fakti se në Shqipëri bëhen trajnime dhe bashkëpunime të nivelit të lart dhe mjeket nuk kanë nevojë të shkojnë jashtë për t’u trajnuar apo punuar. Shkëmbimi i përvojave dhe formimi i ekipeve multidisiplinare i shërbejnë këtij qëllimi.”- ka thënë drejtuesja e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Eliona Demaliaj.
Ulja e lindshmërisë dhe rritja e infertilitetit
“Në maternitetin tonë numri i lindjeve nuk ka rënë. Vihet re në nivel kombëtar që mund të ketë rënie të numrit të lindjeve dhe është e vërtetë, që ka problematika të lidhura me infertilitetin, pra zonjat të cilat janë në një moshë më të re vijnë me shqetësimin se nuk po arrijnë lehtësisht një shtatzëni. Problematikat janë të ndryshme, të palidhura me sistemin shëndetësor. Është obeziteti, jeta sedentare, është mosha e lartë e shtatzënisë së pare.
E rëndësishme është që shqetësimi të mos kthehet në panik. E dyta, pas një viti tentativë për të pasur një gravidancë dhe mosarritjes së saj, duhet të paraqiten te mjeku specialist për të bërë konsultat dhe ekzaminimet. Thirrja ime është që të gjithë ato çifte të cilët kanë probleme me infertilitetin, ta lënë jashtë stigmën apo turpin dhe të shkojnë te mjeku që të trajtohen”, -shprehet drejtoresha e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Eliona Demaliaj.