Ermal Meta flet turneun në Shqipëri: Në Fier do ndaloj më pak. Kam kujtime të hidhura
Pak ditë para koncertit që do të mbajë në Tiranë, më 17 shtator, Ermal Meta ka dhënë një intervistë përmes skype, për News 24.
Këngëtari shqiptar me famë në Itali dhe jo vetëm, zbuloi edhe detaje të tjera të projekteve profesionale.
“Po shkruaj një libër, një roman, por nuk dua të zbuloj më shumë”, tha Ermali që e hodhi poshtë idenë se është autobiografik. Ai tha se lexon shumë dhe i pëlqen të shkruajë, por që ky është libri i tij i parë.
“Për të shkruar thonë që duhet të kesh lexuar të paktën 200 libra, se përndryshe nuk mund të shkruash”, tha Ermali.
Ai zbuloi se në Shqipëri do të bëjë një turne, por në Fier ndoshta do të ndalojë shumë pak.
“Nuk e di në Fier mbase ndaloj shumë pak. Është një qytet ku nuk kam kujtime të mira, kam kujtime të hidhura dhe nuk e di se sa do shkoj apo sa do qëndroj. Nuk është se dua të shkoj. Të gjithë kemi ato historitë dhe arsyet tona”, tha Ermali që është lindur dhe rritur në Fier. Ai e ka rrëfyer më herët jetën e vështirë në Fier dhe dhunën që babai i tij ushtronte në familje. Ka bërë edhe këngë në lidhje me këtë.
Kurse për koncertin tha se biletat janë prenotuar që prej muajit gusht edhe nga njerëz jashtë Shqipërisë, deri inga Rusia. Ai do të jetë falas, por me rezervim.
Ermali në fund bëri thirrje për vaksinim, pasi ndryshe nuk mund t`i bëhet ballë virusit.