Ertila Koka prezanton projektin muzikor për fëmijë

Në emisionin “Rudina” nga Rudina Magjistari në “Tv Klan” ishte e ftuar këngëtarja Ertila Koka. Ajo vjen për të prezantuar një projekt të ri muzikor, me 3 ninulla për fëmijë.

Këngëtarja tregon se gjithçka nisi me lindjen e mbesës së saj, Heaven, së cilës i këndonte ninulla për ta vënë në gjumë. Më pas, motra e saj më e vogël shkroi një ninullë posaçërisht për mbesën dhe aty lindi ideja e krijimit të një projekti dedikuar fëmijëve.

 

Ndryshe nga këngëtarët e tjerë që kanë zgjedhur të publikojnë këngë ritmike gjatë verës, Ertila e kishte shumë të rëndësishëm sjelljen e tij në datën 1 Qershor, në kohë për Ditën e Fëmijëve. Ajo gjithashtu mendon ta zgjerojë me ninulla të tjera, por thotë se kërkojnë një punë intensive pasi punohet me animacionet.

Sipas saj, nuk qëndron gjithçka në të bërit gjëra vetjake, por edhe te të kontribuarit në muzikë si artiste.

Rudina Magjistari: Ka munguar diçka e tillë, por ndoshta kualiteti nuk ka qenë i duhuri.

Ertila Koka: Unë e kam vënë re këtë ngërç profesional dhe meqë kam mbaruar për kanto, zërin e kam të ëmbël dhe pse mos ta shfrytëzoja? Nuk mund të bëjmë gjithmonë vetëm muzikë pop, gjëra vetjake. Artisti duhet të kontribuojë dhe mendoj që kjo është gjëja më e bukur, unë me vokalin që kam apo kushdo, duhet të bëjmë diçka që të mbahet mend. Nesër unë ndoshta nuk do të jem më, por fëmijët do t’i gëzojnë, kështu që edhe pas shumë vitesh, janë këngë jo sezonale. Fëmijët do të rriten me to dhe ishin ninulla që mungonin të realizuara në këtë formë.

Një konfirmim i saj vjen për një projekt të ri muzikor pas Verës, që do të jetë një duet, por nuk zbuloi detaje të tjera.

Share With:
Translate »
277 Views