Familjet e kthyera nga BE, fëmijët kanë vështirësi në shkollë

Dhjetra fëmijë të kthyer nga autoritetet e vendeve të BE-së bashkë me familjet, përveç problemeve ekonomiko-sociale të familjeve të tyre, përballen jo pak dhe me vështirësitë e integrimit në sistemin shkollor. Autoritetet arsimore përpiqen të ofrojnë sa më shumë mundësi për ta lehtësuar këtë proces.
“Kemi pasur raste shumë të shpeshta për kthim nga emigracioni dhe ka një urdhër të Ministrisë së Arsimit për të gjithë nxënësit që rikthehen, riatdhesohen në vend kanë të drejta eskluzive, përparësi për t’u perfshire në procesin mësimor këtu. Të gjithë fëmijët që nuk kanë ndjekur shkollën atje, po vetëm kurse të gjuhës vendase trajtohen nga një sektor i veçantë pranë DAR. Nëse fëmija ka ndjekur shkollë bëhet konvertimi i lëndëve dhe trajtohet me përparësi për të caktuar se në cilën klasë do të vijojë mësimin”, thotë  Lindita Mukaj, drejtore e Drejtorisë Arsimore Rajonale në Durrës.
Integrimi është një proces në vazhdimësi, ndaj mësuesve të shkollave, po dhe prindërve u del detyrë të merren posaçërisht me ta në mënyrë që të kapin ritmin e shokëve në programin mësimor.
“Zakonisht nxënësit e rikthyer kanë vështirësi në të lexuar e të shkruar dhe e kanë të theksuar këtë veçanërisht në shqiptimin e bashkëtingëlloreve dyshe, si –ll-, -xh-, -gj- etj. Po mësuesit kanë punuar edhe me grupe të diferencuara pas mësimit me këta fëmijë. Çdo mësues ka hartuar plane individuale për këta nxënës”, thotë mësuesja e gjuhës shqipe, Rezarta Gjergji. 
Vitin e kaluar nga shkollat e Durrësit u evidentuan si të larguar azilkërkues rreth 100 nxënës, ndërsa në këtë vit të ri shkollor janë kthyer në klasa 75 nxënës, që vitet e fundit kanë jetuar jashtë vendit.

/ Top Channel 

Share With:
Translate »
888 Views