Fëmijët autikë pa mësues ndihmës

Që në vitin 2012, Ministria e Arsimit miratoi ligjin për “Gjithëpërfshirjen në sistemin arsimor parauniversitar”, në të cilin thuhet se fëmijët me nevoja të veçanta do të kenë një mësues ndihmës në klasë. Kanë kaluar 5 vite nga miratimi i ligjit dhe ende ky problem nuk është zgjidhur.

“Fiks Fare” solli këtë të enjte raste të këtyre fëmijëve, të cilët e kanë të pamundur të qëndrojnë në klasë pa një mësues mbështetës.

Mamaja e Fatmirit, djalit 10-vjeçar nga Preza, tregoi për “Fiksin” se e ka të pamundur ta shoqërojë djalin në shkollë. Djali i saj është hiperaktiv dhe nuk lejon fëmijët e tjerë të mësojnë.

“Ju drejtohem juve që të më ndihmoni. Jam në vështirësi. Djali do një mësues ndihmës, është hiperaktiv dhe mësuesja kujdestare e ka të vështirë të punojë me pjesën tjetër të klasës. Unë e kam të pamundur të qëndroj me të, pasi kam edhe fëmijë të tjerë në shtëpi”, thotë Jetmira Zyberaj.

Gazetarët e “Fiksit” shkuan në klasën ku mëson fëmija. Mësuesja shprehet e shqetësuar për gjendjen që ai krijon në klasë. “Shikojeni vet, unë e kam të pamundur të bëj mësim në këtë gjendje. Do të ishte lehtësim shumë i madh të vinte një mësuese ndihmëse”, shprehet mësuesja e 10-vjeçarit.

Edhe drejtoresha e shkollës i mbështet mësuesit që hasin vështirësi në mësimdhënie, e pohon se në këtë shkollë janë 3 fëmijë të tillë.

“Përveç Fatmirit, në shkollën tonë janë edhe dy fëmijë të tjerë. Ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme për mësues ndihmës, por ende s’kemi marrë zgjidhje”, shprehet drejtoresha e shkollës “Shaban Sheshori”, Prezë.

Institucioni përgjegjës, Ministria e Arsimit thotë se janë në procesin e vlerësimit të rasteve nga komisionet multidisiplinare pranë Drejtorive Arsimore.

“Jemi në proces vlerësimi për këtë vit. Vitin e kaluar kemi pasur 3.500 nxënës me nevoja të veçanta, që kishin nevojë për mësues ndihmës. U kemi ofruar mësues vetëm  disave prej tyre. Për këtë vit presim të punësojmë edhe të tjerë”, thotë Rozalba Meidani, përgjegjëse sektori në Arsimin Parauniversitar, pranë MASH-it.

Pyetjes së gazetares, se përse nuk zbatojnë ligjin, zonja Meidani i është përgjigjur duke thënë se nuk ka mësues të specializuar, edhe pse si mësues ndihmës mund të punojë çdo mësues që merr pjesë në portal dhe është i licencuar.

Në komisionet multidisiplinare pranë DAR mungojnë mjekët pediatër.

MASH, për të evidentuar rastet kur fëmijët kanë nevojë për mësues ndihmës, ka krijuar komisione multidisiplinare pranë Drejtorive Arsimore. Ky komision ka në përbërjen e tij psikologun e shkollës, një punonjës social, psikolog klinik, mjek pediatër dhe mësuesin e fëmijës.

Për të ndjekur nga afër punën e komisionit multidisiplinar, gazetarët e “Fiksit” shkuan në shkollën 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë”, ku komisioni i ngritur pranë DAR Tiranë po kryente vlerësimin e rasteve në këtë shkollë.

Sipas kryetares së komisionit, atë ditë janë vlerësuar 4 raste, të cilat kishin nevojë për mësues ndihmës.

“Pasi ne bëjmë vlerësimin pranë shkollave, hartojmë një relacion që e dërgojmë në Ministrinë e Arsimit, nga e cila kërkojmë mësues ndihmës. Ky komision ka një plan për të gjitha shkollat dhe për vlerësimin e të gjithë rasteve”, thotë kryetarja Lediana Sabella.

Por në këtë komision u vu re mungesa e mjekut pediatër. E pyetur në lidhje me këtë, drejtoresha Sabella pohon se atë ditë mjeku kishte impenjime të tjera.

“Mjeku pediatër nuk është për shkak të disa impenjimeve të tjera, por ne e bëmë vlerësimin e rasteve në bazë të kartelave që fëmijët kanë nga mjekët”, thotë ajo.

Rasti që po kalonte në këtë komision ishte rasti i një fëmije me autizëm, të cilin e shoqëronte gjyshja çdo ditë në shkollë. 75-vjeçarja me lot në sy kërkon një mësues ndihmës për nipin.

“Jam 75 vjeç, vitin e kaluar e kam shoqëruar vet nipin në klasë, por tani vuaj edhe nga sytë, nuk e ndihmoj dot më, ndaj kërkoj një mësues ndihmës”, thotë ajo.

Grupi i xhirimit të “Fiks Fare” iu drejtua edhe Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qarkut Tiranë, për të mësuar nëse funksionon aty një komision multidisiplinar edhe për mësuesit ndihmës që ofron Drejtoria e Qarkut.

Drejtoresha e këtij institucioni, Eglantina Metani pohoi se ka vetëm një mësues ndihmës për gjithë Qarkun Tiranë. Komisioni multidisiplinar në këtë drejtori kishte filluar punë në vlerësimin e rasteve, por ende nuk kishin një shifër përfundimtare të fëmijëve që duan mësues ndihmës. Drejtoresha Metani pohoi se në komisionin multidisiplinar pranë drejtorisë së saj nuk kishte fare mjek pediatër, e për këtë i janë drejtuar me një kërkesë ISHP-së.

/ Top Channel

Share With:
Translate »
677 Views