Fillimi i vitit shkollor; Kur shpërndahen librat dhe kush i përfiton falas, çdo gjë që duhet të dini për gjimnazet

Ndonëse shkolla u shty, shpërndarja dhe tregtimi i teksteve shkollore, jo. Ashtu siç ishte parashikuar, këtë fillimjavë, të gjitha libraritë dhe pikat e tregtimit janë pajisur me librat e të gjitha klasave.

Ndërkohë që arsimi i detyrueshëm këtë vit përfiton tekste falas, gjimnazet përballen me çmime të kripura për një familje me të ardhura mesatare.

Ndërsa për atë me të ardhura minimale, kostoja e shkollimit në gjimnaz bëhet thuajse e papërballueshme. Ato që rëndojnë më tepër në xhepat e familjeve që kanë të paktën një fëmijë në gjimnaz, janë tekstet e atyre që sapo vënë këmbën në shkollë të mesme.

Bëhet fjalë për klasën e dhjetë, me një paketë librash që kushtojnë përafërsisht 9200 lekë. Nëse kësaj shume i shtohen edhe mjetet e tjera ndihmëse, bashkë me fletoret e punës, veshje, çantë apo edhe abone, shuma rritet. Një fëmijë i dytë në gjimnaz, do t’i kushtonte një pagë të plotë një punonjësi të deklaruar me pagë minimale. Dhe këtu nuk ka alternativë tjetër.

Për vitin e dytë gjimnaz, paketa e teksteve kap shifrën e 4 mijë e 250 lekëve, ndërsa maturantët duhet të paguajnë përafërsisht 6 mijë lekë. Më “fatlumët” janë prindërit e arsimit të detyrueshëm, që e marrin të gjithë paketën e teksteve pa kurrfarë pagese. Risia e këtij viti janë klasat e teta dhe të nënta që u përfshinë në skemën e rimbursimeve të teksteve shkollore.

Subvencioni

Janë 12 kategori familjesh që konsiderohen në nevojë, të cilat arrijnë të marrin mbrapsht shumën që paguajnë për tekstet shkollore në krye të herës. Ato janë të përcaktuara qartë me vendim qeverie, nr.474, datë 30.07.2021, në të cilin listohen kategoritë (në tabelën përbri).

Nuk mjafton vetëm të jesh në listën e cituar për të marrë automatikisht librat. Vendimi kërkon që përkatësia të vërtetohet me një sërë dokumentesh që duhen dorëzuar në shkollë.

Më konkretisht, bëhet fjalë për certifikatën familjare, certifikatën e fëmijës me foto si dhe dokumentin që vërteton se u përket një nga kategorive në listën përbri shkrimit. Shkollat kanë lënë një afat, deri në fund të javës së dytë të shtatorit, për familjet që duan dhe u takon të përfitojnë nga VKM-ja për subvencionimin e teksteve shkollore të arsimit parauniversitar.

Vendimi në fjalë vlen për fëmijët që nga klasa e parë, por duke qenë se sistemi i arsimimit bazë është tërësisht falas, ky dokument është i vlefshëm vetëm për gjimnazet.

Share With:
Translate »
30 Views