FOTO NGA DASMA/ Martohet nobelistja Malala, e cila u sulmuar nga talebanët për fushatën e arsimimit të vajzave
Malala Yousafzai është martuar pothuajse një dekadë pasi u qëllua në kokë nga talebanët për shkak të fushatës së saj për të drejtat e vajzave për arsimim.
Fituesja e çmimit Nobel për Paqe, 24 vjeçe, është martuar me partnerin e saj Asser Malik në një ceremoni private të organizuar në shtëpinë e saj në Birmingham, shkruan DailyMail.
Malala publikoi në Twitter disa fotografi nga dita e dasmës, ku kishte veshur një fustan të bukur ngjyrë rozë.
Ajo buzëqeshi pranë bashkëshortit të saj të ri, i cili kishte veshur një kostum të zi me një kravatë ngjyrë rozë, në një fotografi të adhurueshme të çiftit të realizuar në natyrë.
Një tjetër imazh shfaqte Malala-n duke prekur flokët e saj ndërsa Asser nënshkroi kontratën e martesës.
Asser u emërua vitin e kaluar menaxher i operacioneve të Bordit të Kriketit të Pakistanit (PCB).
Malala shkroi në mbishkrimin e fotografive: “Sot shënohet një ditë e çmuar në jetën time. Asser dhe unë u martuam për të qenë partnerë për jetën”.
“Ne festuam një ceremoni të vogël në shtëpi në Birmingham me familjet tona. Ju lutem na dërgoni lutjet tuaja. Ne jemi të emocionuar që do të ecim së bashku për udhëtimin që kemi përpara”, shkroi tutje ajo.
Nuk dihet se kur Malala dhe Asser filluan lidhjen e tyre, por bashkëshorti i saj publikoi një mesazh urimi për ditëlindjen e saj në korrik.