Gazetari Dëfrim Met’hasani: Një mesazh nga spitali i Berlinit, ku po kurohet vajza ime!
Gazetari sportiv Defrim Met’hasani ndodhet në Gjermani, ku po kurohet vajza e tij, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë. Pak çaste më parë gazetari postoi një foto nga spitali, ndërsa shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që i qëndruan pranë dhe e mbështetën në këtë çast kaq të vështirë.
Mesazhi i gazetarit!
“Nga spitali i Berlinit ku prej kohësh ndodhet për kurim vajza ime e madhe Luna, ju përshëndes të gjithëve dhe ju falenderoj që keni qenë mbështetja ime e madhe dhe e jashtëzakonshme, duke më qetësuar sadopak shpirtin dhe duke më lehtësuar problemin. Nuk gjej dot fjalën e duhur për të shprehur atë që meritojnë familja ime, të afërmit e mi, por dhe miqtë dhe shokët e shumtë që kam brenda dhe jashtë vendit. Lutjet tuaja, mbështetja në të gjitha format, sms dhe telefonatat e pafund, kanë qenë ushqimi im shpirtërorë, forca, solidariteti, vitaliteti dhe arma jonë, për të luftuar me sëmundjen e rëndë, ku falë Zotit dhe mjekëve duarartë, shpresojmë t’ia dalim. Në mbyllje edhe një dedikim mirënjohje për Dr Endri Abazi, djaloshi shkodran që punon në këtë spital si kardio kirurg dhe që perfaqëson me dinjitet Shqipërinë në Gjermani, por që u bë një derë e hapur edhe për mua, pavarsisht se sëmundja e vajzës nuk lidhej me departamentin e tij. Lum ne për profesionistët që kemi , sepse defakto janë kthyer në faktor promovues të vendit tonë, jashtë Shqipërisë. Po ashtu fjalë zemre për mbesën time të shtrenjtë dhe të çmuar Nerilda Meda e cila bëri gjithçka për Lunën, por edhe disa shqiptarë të Berlinit, që janë bashkë me mua në këtë periudhë kaq të vështirë. Falenderime, respekt dhe mirënjohje të përjetëshme për secilin nga JU”