Gazetarja e njohur që raporton nga Brukseli, jep lajme nga jeta personale

Plot 17 vjet në Bruksel si gazetare dhe reportere e mediave më prestigjioze ndërkombëtare, shumë vite më parë, Erisa Zykaj as që e kishte ëndërruar se do të vendosej përfundimisht në Bruksel, vendi ku ka shtëpinë Bashkimi Europian. Qysh fëmijë ajo kishte ëndërruar gjithmonë të bëhej aktore, ndoshta si shumë moshatare të saj, por veten si gazetare as e kishte ëndërruar, as e kishte imagjinuar.

E ftuar këtë pasdite në “Rudina”, gazetarja e Brukselit për Abc News dhe Tv Klan, ka ndarë me publikun, përveç momenteve më të bukura dhe më të sikletshme të karrierës së saj, edhe një pjesë private që e lidhi përfundimisht me Brukselin dhe vendosi fatin e saj atje.

Zako, bashkëshorti i Erisës për 11 vjet, është një spanjoll i jugut, i lindur nga dy prindër me raca të ndryshme: “Këto mikset janë të veçanta”, – thotë Erisa me të qeshur, ndërsa nis të tregojë ditën kur njohu bashkëshortin. Siç ndodh në kësi rastesh, për të ishte dita më e papërshtatshme që mund të kishte pasur ndonjëherë: “E gjeta aty ku nuk e imagjinoja fare. Unë isha nisur në kursin e holandishtes. Jo vetëm që nuk më dukej vetja e bukur atë ditë, por isha gati-gati e neglizhuar. Sapo hapa derën, hyra dhe thashë “Bonjour”. Atë u fokusua vetëm te shkëlqimi i syve. Unë e mora vesh vetëm pas 5 ditësh”, – tregon Erisa.

Zako është regjisor në profesion. Siç tregon Erisa, ata nuk kanë bërë ceremoni martese. Në vend të saj, kanë zgjedhur që të udhëtojnë shumë nëpër botë, por edhe të bëjnë shumë dokumentarë dhe bashkëpunime të tjera: “Jemi shumë aventurierë. Në vend që të harxhojmë para me dasma e me gjithë fisin, preferojmë të bëjmë filma, të udhëtojmë dhe projekte të tjera tonat.”

Erisa dhe Zaku janë prindër edhe të një djali 5 vjeç e gjysmë, Matis, i cili është i dashuruar me vendlindjen e së ëmës. Të bërit nënë, për Erisën ka qenë momenti më i bukur në jetë, sepse ishte fryt i dashurisë së vërtetë: “Kur jam bërë nënë për herë të parë ka qenë një ndjesi e jashtëzakonshme. Zako ma ka ndryshuar jetën, është njeri që nuk di kurrë të nevrikoset. Të kesh fëmijë me të është gjëja më e bukur që të ndodh nga dashuria e vërtetë.”

Share With:
Translate »
675 Views