Gerard Merdani: Të jesh djali i Sherifit është një thikë me dy presa

Kur mendon se si një inxhinier mund të jetë edhe këngëtar, është pak e çuditshme. Po aq e çuditshme edhe të mendosh se ç’mund t’i lidhë këto dy profesione me njëri-tjetrin veç faktit që janë dy godina përballë…
Në mes tyre, gjithsesi është një personazh që di t’i bëjë shumë mirë të dyja: edhe të jetë një inxhinier i mirë, por edhe të krijojë profilin e vet në muzikë.

Gerard Merdani, nga mbiemri mund t’ju duket i njohur të gjithëve. Emri, ndoshta më pak. Këtu është puna. Të gjitha “telashet” Gerit i vijnë nga mbiemri. Jo sepse është i biri i këngëtarit të njohur Sherif Merdani, por sepse i duhet ta mbajë fort për ta justifikuar “peshën” e tij.
Në një intervistë ekskluzive për Class, Gerardi, këtë herë në një profil ndryshe, rrëfen për projektet e reja që ka në muzikë, për marrëdhënien me të atin, por edhe për atë që të gjithë e kanë me merak “çunin e babit”.

Si mund të mendohet një inxhinier në profesion me muzikën? Si ndryshoi drejtimi rrugës?

Jam rritur gjithmonë me idenë që muzika të ishte diçka dytësore për mua, një hobi, një pasion, një pjesë plotësuese e jetës sime, por jo burimi kryesor i saj. Në Shqipëri është e vështirë të jetosh me muzikë, sidomos me muzikën që unë dëshiroj të bëj. Prandaj, jeta ime mori një drejtim krejt tjetër, pavarësisht se muzika mbetet pasioni im më i madh. Lidhja midis inxhinierisë dhe muzikës është vetëm që inxhineria ndodhet përballë Akademisë së Arteve.

Kanë kaluar disa vite që nga debutimi yt në The Voice 1, si ishte ajo eksperiencë e parë në muzikë dhe ç’ndikim pati?

The Voice është një ndër eksperiencat më të bukura që kam pasur. Ruaj kujtimet dhe përshtypjet më të mira për atë format. Edicioni i parë i The Voice në Shqipëri ishte jashtëzakonisht shumë i ndjekur. Nga mbrëmja në mëngjes, të gjithë ne, na ktheu nga një i panjohur, në dikë të njohur në të gjithë Shqipërinë. Ai ishte momenti i duhur për të investuar në muzikë dhe për ta shfrytëzuar “famën” e The Voice. Ndoshta nuk ishte mosha e duhur për ta kapur atë mundësi.

Disa këngë në kompeticione muzikore, por edhe klipe. Mendon se këto të fundit të bëjnë më të famshëm si këngëtar?

Siç po thoja edhe më sipër, kompeticionet zbuluese talentesh janë gjithashtu një mënyrë shumë e mirë për t’u bërë i njohur. Për mendimin tim, këto kompeticione dhe festivalet, janë një mënyrë shumë e mirë për t’u bërë i famshëm si këngëtar, pasi kalon në një filtër, në një juri e si rrjedhojë nuk mund të dalë kushdo. Ndërsa në industrinë e klipeve, kushdo mund të këndojë, kushdo mund të bëjë një klip dhe të bëhet pjesë e kësaj rrëmuje që ne e quajmë “treg muzikor”.

Cili është këngëtari shqiptar (veç babit) ose i huaj që ke dëshirë t’i ngjash?

Alban Skënderaj ka qenë gjithmonë një frymëzim dhe një pikë referimi për dikë që dëshiron të bëjë muzikë serioze. E njëjta gjë edhe për mua. Ai është këngëtari në vend të cilin e shikoj dhe i referohem. Për muzikën ndërkombëtare, Ed Sheeran është gjithashtu një fenomen, duke bërë ‘muzikë për veshët’ e jo për sytë.

Je më shumë Gerard Merdani apo djali i Sherif Merdanit?

Pyetje e bukur. Në këtë moment, ndjej të them 50-50. (qesh…)

Të bezdis ky fakt?

Është e vërtetë. Është një thikë me dy presa. Nga njëra anë, ke një derë të hapur më tepër, 2 kontakte më shumë. Nga ana tjetër, gjithmonë ke një paragjykim nga të tjerët, mendojnë se do favorizohem për shkak të mbiemrit, pavarësisht se sot në Shqipëri favorizohesh vetëm me para, jo me mbiemër. Një tjetër paragjykim është se gjithmonë do të presin shumë prej teje, gjithmonë do të kenë një krahasim gati për ty, gjë që të bën të matesh mirë, përpara se të publikosh diçka. Është një peshë që e ndjej gjithmonë përpara se të dal diku.

Ke thënë në një intervistë “Kam këtë mbiemër të famshëm dhe do të jetë gjithmonë një mal i madh përpara, përgjegjësi e madhe”, kur e ke ndier më shumë këtë peshë?

Mund të them që jam mësuar tashmë. Mundohem të shfrytëzoj anën pozitive të kësaj gjëje dhe të punoj shumë për anën negative.

Pse nuk je ndër emrat që bëjnë skupe në showbiz, p.sh me ndonjë histori dashurie me vajza të njohura?

Vajza të njohura në Shqipëri është një term që ha diskutim. Ndahen në dy kategori, të njohura për ndonjë aftësi, talent, arsye dhe të njohura në rrjete sociale për arsye të tjera. Gjithsesi, parapëlqej të bëj një jetë të qetë nga kjo anë, larg skupeve apo portaleve.

Nuk mendon se kjo zgjedhje do të të jepte me shumë famë?

Jam koshient që një histori e tillë do të më jepte famë. Ka personazhe plot në Shqipëri, që njihen veç prej këtyre punëve. Por kjo lloj fame është gjëja e fundit që më intereson.

Jeton me muzikë, këndon live në club-e? Çfarë pune bën?

Jo, nuk jetoj me muzikë. Muzika është dhe do të mbetet gjithmonë pasioni më i madh i imi, por një menyrë për të nxjerrë të ardhura apo për të jetuar me të. Unë punoj në profesionin tim, pavarësisht se me muzikë merrem çdo ditë. Këndoj, kompozoj, bëj covers, pavarësisht se shumë pak nga këto i bëj publike.

Cili është projekti i radhës?

Muzika, në këtë moment, është kthyer në një luftë midis pasionit dhe arsyes. Në këto periudha, pasioni po triumfon. Prandaj dhe unë po merrem me një këngë të re për të publikuar në stinën e verës, të shoqëruar me klipin tim te parë.

Mund të na zbulosh më shumë?

Mund të them që do vazhdoj të qëndroj në stilin e këngës me të cilën u përfaqësova te “Kënga Magjike”. Po eksperimentoj në një rrymë tjetër, ndryshe nga ajo që kam bërë gjithmonë. Do të jetë një këngë rinore, verore por melodioze.

Ke pasion edhe udhëtimet, ç’të bëjnë ato të përjetosh si i ri? Po në muzikë?

Udhëtimet janë pasion vërtet i madh. Jam shpirt i lirë, nuk rri dot pa lëvizur. Fatmirësisht, edhe puna më jep mundësinë të udhëtoj shumë. Shprehja e famshme dhe shumë e vërtetë “Të udhëtosh është e vetmja gjë që mund të blesh dhe të bën më të pasur.”

Veç muzikës, cilat janë pasionet e tjera, çfarë të pëlqen të bësh në kohën e lirë?

Unë jam i apasionuar i çmendur edhe pas automjeteve. Shumëkush çuditet, pasi midis muzikës dhe automjeteve, gjithashtu nuk ka ndonjë urë të fortë lidhëse. Por edhe puna ime është e lidhur me këtë pasion tjetër timin. Një pjesë shumë të madhe të kohës e kaloj me to. Siç thonë: “Puno në atë çfarë dëshiron dhe nuk do të punosh asnjë ditë të jetës tënde. Nuk jam qejfli i madh i jetës së natës, pavarësisht se e frekuentoj, por me masë. Por udhëtimet zënë pjesën më të madhe të kohës time të lirë. /Revista Class

Share With:
Translate »
999 Views