Gjashtë ide për t’u thënë “mjaft” fëmijëve qaramanë

Qaramanët janë prova e përditshme supreme, mjafton të pyesësh çdo prind që ka të bëjë me një fëmijë në moshën 2 deri në 10 vjeç. Nëse babi dhe mami kanë pasur një ditë të lodhshme, është edhe më e lehtë që te të rriturit të “ndizet” frustrimi.

Pra, a është e mundur që në këtë pikë prindërit të japin një përgjigje të butë dhe produktive? Po, por duke e trajtuar qaramanin për atë ç’ka është në atë moment. Prindërve të rinj zakonisht u duhet pak kohë që të mësojnë të interpretojnë faktin se përse fëmija e tyre qan.

Zakonisht pas katër ose gjashtë muajsh ata janë në gjendje të dallojnë të qarën nga dhimbja, të qarën kur janë të uritur, ose pa gjumë, si dhe atë që bebet bëjnë kot. Shumë bebe të vogla kanë episode qarjesh të mëdha që mendohet se shkaktohet nga ndonjë shqetësim, por kjo gjë nuk është vërtetuar. Edhe në moshën nëntëmuajshe, një në katër bebe, kanë këto faza të qari pa ndonjë shkak.

Pas lindjes, foshnjat fillojnë të komunikojnë dhe të dërgojnë sinjale, sipas të cilave të rriturit duhet të kuptojnë se ata janë të lodhur ose të uritur, apo e kundërta dëshirojnë të luajnë. Ata mësojnë dhe zhvillohen çdo ditë, ndërkohë që detyra e prindërve është të ndihmojnë në zhvillimin e këtyre proceseve pa kushte.

Duke u kujdesur për beben, prindërit kuptojnë shenjat e tij (“gjuhën e bebeve”). Nëse ata nuk i njohin dhe nuk u përgjigjen këtyre sinjaleve, foshnja reagon me të qarë. Të porsalindurit nuk e kuptojnë që janë persona të veçantë. Nuk e dinë se kush i ushqen dhe kush i ndihmon kur qajnë.

Qeshin që në javën e pestë ose të shtatë, ndërkohë që qeshin me zë kur mbushin tre muaj. Pjesa më e madhe e bebeve para se të mbushin tre muaj qajnë shumë, sidomos pasdite dhe në mbrëmje.

Idetë për t’u thënë mjaft fëmijëve qaramanë

1. Duhet t’i paraprini situatës apo të parandaloni fëmijët të qajnë, duke u plotësuar të paktën nevojat parësore. Sigurohuni që të mos jenë të lodhur, të uritur dhe nervozë.

2. Në momentin që fëmija fillon të qajë, vëzhgojeni situatën për të kuptuar se çfarë mund ta ketë shkaktuar atë sjellje. Në këtë drejtim, është e rëndësishme që të kuptoni nënkuptimin domethënës, sidomos atë emocional. Praktikisht është e nevojshme që të përqendroheni mbi pyetjen “çfarë” dhe jo mbi atë “si”.

3. Komunikimi i qartë, eksplicit e direkt, është sigurisht instrumenti më i rëndësishëm për të dëgjuar dhe për të ndihmuar fëmijët tuaj.

4. Ndërkohë, me fëmijët më të vegjël, mund të përdoren mënyra të tjera komunikuese: përqafime, një qëndrim i drejtë në nivelin e tyre, toni i zërit, shikimi etj. Aspekte që janë gjithsesi gjithmonë esenciale për të ndërtuar marrëdhënie efikase.

5. Vlerësoni arsyen që ka “ndezur” situatën: nuk është e thënë që fëmijët duhet të marrin gjithçka kërkojnë. Fëmijëve më të mëdhenj, mund t’u mësohet se ka mënyra më të mira për t’u shprehur, për t’i bërë që të kuptojnë se për çfarë kanë vërtet nevojë.

6. “Punoni” me veten, ose përgatituni që të jepni përgjigje alternative në situata kritike. Shumë herë, reagimi i prindërve “shpërthen” automatikisht, ndërkohë që nëse do të keni në “xhep” gjithmonë një strategji, është një mënyrë shumë e mirë për t’u mësuar me një situatë të tillë. Ndërsa fëmijët tuaj nuk do të jenë më qaramanë.

Share With:
Translate »
1061 Views