“Gjëmonte shiu”, momenti i dhimbshëm kur nëna mësoi për vdekjen e Sonilës në Torino
Misterioze mbetet ngjarja e 21 Marsit në Torino të Italisë, ku brenda banesës së saj u gjet e pajetë 22-vjeçarja shqiptare Sonila Cani. E reja u gjet nga bashkëshorti i saj e vetëvarur në banjo. Por rrethanat mbeten të dyshimta dhe nuk përjashtohet as pista e vrasjes.
Prindërit e Sonilës, në një intervistë që kanë dhënë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, thonë se nuk besojnë që vajza e tyre të jetë vetëvarur. Nëna e 22-vjeçaresa ka treguar mes lotësh edhe momentin kur mësoi përmes një telefonate se vajza e saj ishte ndarë nga jeta.
Nëna e Sonilës: Në darkë në orën 18:30, ka qenë shi i madh, gjëmonte dhe unë e kisha fikur telefonin. Kur e kam hapur telefonin, i kishte rënë kunata e Sonilës, kjo e Anglisë. Më mori krushka në telefon, i thashë po bie, nuk dëgjoj gjë se për momentin ndodhem te lopa. Më tha mua, dëgjo se do ta marrësh vesh si tani dhe pastaj. Çfarë i thashë? Çupa ka varur veten. Të lutem, i thashë, ma thuaj dhe njëherë. Ka varur veten. Jo nuk ka mundësi, i thashë, se unë fola me vajzën vetë, nuk ishte në atë gjendje të varte veten. Fëmija kur krijon këtë, mund të ketë një depresion, mund të ketë një mërzitje, do t’i shprehet nënës. Ajo nuk kishte asnjë lloj gjëje, ishte shumë e qeshur. Unë kisha komunikim shumë me vajzën. Kishte raste 2 herë në ditë, 3 herë flisja. U trondita shumë kur mora atë lajm. Nuk e besoja se ishte e vërteta, thashë mos bën shaka me mua.
Kurse babai i Sonilës rrëfen se për vdekjen e vajzës e vuri në dijeni bashkëshortja e tij. Ai tregon edhe sorollatjet dhe burokracitë e institucioneve shqiptare për ta informuar dhe për t’i krijuar mundësinë që të shkonte në Itali për të marrë trupin e së bijës.
Babai i Sonilës: Vajta atje i thashë çfarë ke? Më tha mua e di çfarë na ka gjetur? Çupa, Sonila ka varur veten, më tha. Çfarë thua i thashë. Në atë moment nuk dija se çfarë të bëja. Mua s’po më mbante vendi. Mora të vëllanë e atij (dhëndrit) në telefon, i thashë çfarë m’i bëtë çupës. Ai thoshte nuk di gjë. Mora në telefon Kreshnikun, ai tha edhe unë nuk di gjë, vetëm kur vajta në shtëpi e gjeta varur te banjo. Ditën e tretë kam vajtur në Tiranë dhe jam drejtuar te ambasada italiane. I kam thënë kam këtë hall. O zotëri më tha, ik njëherë te Ministria e Brendshme. Gjithë ata policë aty përjashta, u thashë kështu e kam hallin. E di çke ti o zotëri, më tha mua ai, ik njëherë te Ministria e Jashtme. Aty rrugës së Lanës në këmbë vajta te Ministria e Jashtme, ishte njëri atje i thashë kështu e kam hallin. Ik o zotëri, tha, ne nuk jemi për këtë punë. /tvklan.al