Hapi dyert e biznesit për 110 të prekur nga tërmeti, pronari: “Duam ndihmë nga shteti, po shkatërrohemi familjarisht!”

Një pronar biznesi që ndodhet në Tiranë, është solidarizuar me të prekurit nga tërmeti dhe ka strehuar mbi 100 persona në ambientet e biznesit të tij.

Por ndonëse me misionin për të vepruar mirë dhe për të ndihmuar, atë e ka zënë halli pasi nuk po e përballon dot fluksin e njerëzve!

Flamuri tha për “iconstyle” se për t’iu ardhur në ndihmë personave në nevojë, ai dhe bashkëshortja hapën dyert e biznesit të tyre, Qendrës “Egi Center” që ndodhet në rrugën “Teodor Keko”, por tashmë nuk po munden ta përballojnë dot të vetëm këtë situatë. Ai shprehet se ka pranuar njerëz në nevojë nga “Fundjave Ndryshe” dhe “emisioni STOP”, por tashmë nuk mundet të shtojë numrin!

Plot 110 persona të strehuar në këtë qendër kanë nevojë të ushqehen, kanë nevojë për kujdes mjekësor dhe për dhjetëra shërbime të tjera, të cilat Flamuri shprehet se nuk ua siguron dot i vetëm:

“Vetëm dje ka ardhur 3 herë ambulanca. Kemi frikën e ndonjë epidemie. Kemi nevojë për mjekë. Dje erdhën mjekë por u larguan sërish dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë na thanë se duhet të certifikohet qendra jonë! Nuk di ku të drejtohem!”.

Aktualisht qendra ka nevojë për dyshekë, batanije, ndihma me ushqime, veshmbathje, për të mbajtur 110 vetë. Pronari u shpreh se ka vende për 50 njerëz të tjerë në nevojë, por për momentin e kanë bllokuar marrjen e të prekurve nga tërmeti pasi nuk munden më!

“Kemi nevojë për ndihmën e shtetit! Duhet një kuzhinë për të ushqyer këta njerëz, shërbim, larje, pastrim. Çfarë të bëj unë i vetëm me gruan?! Për të mos përmendur dritat dhe uji që shkojnë 150 mijë lekë të vjetër në ditë. Hajde se ato po i paguaj, por kështu nuk shtyhet! U shkatërruam familjarisht!”.

“Iconstyle.al” vë në dispozicion një numër telefoni të pronarit (+355 68 207 0362) ,ndërsa ju bëjmë të gjithë apel, të ndihmoni me sa të mundeni!

 

  

Share With:
Translate »
556 Views